Presidenti amerikan Barak Obama ka ftuar udhëheqësit republikanë dhe demokratë të Kongresit për të gjetur mënyra bashkëpunimi për çështjet kryesore, pasi republikanët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e mes-mandatit për kongres.
Duke folur pas një mbledhjeje të kabinetit sot, zoti Obama tha se u kishte bërë thirrje dy republikanëve kryesorë, udhëheqësit të pakicës në senat, Miç Mekonëll dhe përfaqësuesit Xhon Beinër, për t’u takuar me kreun e shumicës në senat, demokratin Heri Rid dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelosi në Shtëpinë e Bardhë me 18 nëntor. Zoti Beinër pritet të zgjidhet kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve në kongresin e ri që fillon punën në janar.
Zoti Obama tha se në takim do të diskutohet se çfarë duhet bërë për trajtimin e çështjes urgjente të ekonomisë para se të fillojë punën kongresi i ri. Ai tha se është e rëndësishme të ecet përpara, meqë amerikanët nuk duan që qeveria e tyre të bllokohet nga debatet partiake pa zgjidhur asgjë.
Ndërkohë, senatori Miç Mekonëll ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij për të mos i dhënës presidentit Obama një mandat të dytë, për të shmangur veton presidenciale për legjislacionet e mbështetura nga republikanët.