Një pikturë e madhe në rrugë, kushtuar lëvizjes "Black Lives Matter", është drejt përfundimit në lagjen Harlem të qytetit të Nju Jorkut. Ajo do të jetë pjesë e rrugës së famshme numër 125 në zemër të kësaj lagjeje historikisht e populluar nga komuniteti afrikano-amerikan. Vepra të ngjashme arti që i bëjnë jehonë drejtësisë racore pritet të shfaqen në të pesë njësitë vendore të qytetit Nju Jorkut.
Megjithë të nxehtin e padurueshëm të verës, puna për këtë pikturë të madhe në lagjen Harlem të Nju Jorkut nuk është ndalur.
"Doja t'i tregoja djalit tim se si të përfshihej në ato çështje që kanë rëndësi", thotë Kelsey Harrow, aktiviste.
Emerson është vetëm 18 muajsh dhe është artisti më i ri i Harlemit. Ai shikon nënën e tij Kelsey Harrow, së bashku me aktivistë të tjerë, tek pikturojnë rrugën në zemër të lagjes Harlem në Nju Jork. Ata janë drejt fundit të kësaj pikture të madhe në rrugë kushtuar lëvizjes "Black Lives Matter" (“Jeta e afrikano-amerikanëve është e rëndësishme”) dhe drejtësisë racore.
“Përfaqëson të shkuarën, të tashmen dhe sheh drejt së ardhmes. Pasqyrimi i dy vetëve së bashku, ai që ngrihet drejt saj krahëhapur, në shenjë homazhi e nderimi për ata njerëz që janë vrarë nga policia, kjo është ajo që po pikturoj këtu në tokë", thotë LeRone Wilson, artist.
Piktura të mëdha në rrugë e fasada ndërtesash kushtuar lëvizjes “Black Lives Matter” do të shfaqen në rrugët e të pesë lagjeve të Nju Jorkut. Aktivistët dhe organizatat mbi të drejtat civile janë kujdesur të sigurojnë bojërat e furçat, duke i lënë artistët të bëjnë punën e tyre.
"Është më e rëndësishme me shumë se kurdoherë që të vazhdojmë luftën për lirinë si komunitet. Harlemi është një vend plot me histori dhe artistë", thotë Juliette Varela, artiste.
Pikturat në rrugë e fasada janë rezultat i protestave masive të nxitura nga vdekja e George Floydit ndërsa ndodhej në duart e policisë. Ngjarja nxiti demonstrata në të gjithë vendin dhe në mbarë botën. Një valë e re protestash u derdh në rrugët e Harlemit, por në formën e pikturave.
“Mora distiktivin e oficerëve të policisë dhe pikturova përmes saj një vijë të kuqe. Shkruajta gjithashtu 8:46, kjo ishte ora kur një nga oficerët e policisë kishte gjurin mbi qafën e tij", thotë Guy Stanley Philoche, artist.
Kryetari i bashkisë Bill de Blasio theksoi rëndësinë e projekteve të tilla artistike dhe tha se projekte si ai në Harlem janë dëshmi e mbështetjes që i jep qyteti lëvizjes "Black Lives Matter". Një tjetër pikturë e madhe do të shfaqet në zemër të Manhatanit në një nga fasadat përpara kullës Trump, në mes të muajit korrik. Por jo të gjithë bien dakort me këtë ide.
"Ata do të pikturojnë "Black Lives Matter" përballë kullës Trump dhe kjo do të paguhet me paratë e taksapaguesve. De Blasio po bën me këtë një deklaratë politike dhe madje ai e pranoi një gjë të tillë, një veprim që synon tërësisht të provokojë presidentin", thotë Edward X. Young, aktor.
Arti i rrugës është shndërruar në një protestë social-politike. Rrugët po shndërrohen në një kanavace. Artistët e Nju Jorkut janë të vendosur të shfaqin në rrugët e qytetit, ngjyra të reja.
Facebook Forum