Mes shqetësimeve në rritje për veprimet që mund të ndërmarrë Presidenti Donald Trump gjatë ditëve të tij të fundit në detyrë, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha të premten se ajo kishte pyetur një gjeneral të lartë të Pentagonit se çfarë masash ekzistojnë për t'i paraprirë një urdhëri nga presidenti për sulm me armë bërthamore.
Mundësia, megjithëse në dukje e shumë e vogël, mund të jetë një nga aspektet nën shqyrtim në kuadrin e një përpjekjeje nga zonja Pelosi dhe disa udhëheqës të tjerë në nivel kombëtar për ta hequr Presidentin Trump nga detyra edhe para se të mbarojë mandati i tij në detyrë më 20 janar.
"Këtë mëngjes, unë fola me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Mark Milley, për të diskutuar masat paraprake në dispozicion për t'ia parandaluar një presidenti të paqëndrueshëm mundësinë e fillimit të përplasjeve ushtarake ose qasjen në kodet e nisjes dhe urdhërimin e një sulmi bërthamor", shkruajti zonja Pelosi në një letër për kolegët e saj të Partisë Demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve.
"Situata e këtij presidenti të dalë jashtë kontrolli nuk mund të jetë më e rrezikshme (se ç'është), dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbrojtur popullin amerikan nga sulmi i tij trazues ndaj vendit tonë dhe demokracisë sonë".
I pyetur për të konfirmuar bisedën telefonike, një zëdhënës i Gjeneralit Milley i tha Zërit të Amerikës se, "ai iu përgjigj pyetjeve të saj në lidhje me procesin e autoritetit të kodeve bërthamore".
Zëdhënësi nuk dha hollësi për atë që u tha gjatë telefonatës.
Urdhri i paligjshëm
Presidenti ka autoritetin e vetëm për të urdhëruar lëshimin e një arme bërthamore dhe nuk kërkon miratimin e Kongresit ose këshilltarëve të tij ushtarakë. Por nëse një komandant ushtarak do të vendoste, sipas këshillës së juristëve të tij, se një urdhër i tillë ishte i paligjshëm, atëherë urdhri mund të refuzohej.
Udhëheqësit e kaluar dhe të tanishëm të Pentagonit gjithashtu kanë thënë se ata nuk do t'i binden një urdhri të paligjshëm nga presidenti.
Zonja Pelosi dhe kolegët e saj dëshirojnë gjithashtu ta shohin presidentin përpara përgjegjësisë për rolin e tij në nxitjen e turmës që sulmoi Kapitolin e Shteteve të Bashkuara këtë javë, duke vonuar çertifikimin e fitores së Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe duke çuar në vdekjen e pesë personave, ndër ta edhe një oficer i Policisë së Kapitolit.
Një lëvizje për të ngritur akuza për shkarkimin e Presidentit Trump për herë të dytë - nëse ai do të dënohej në Senatin e udhëhequr nga republikanët - do të kishte gjithashtu efektin që do t'i ndalojë mbajtjen në të ardhmen të posteve federale.
Udhëheqësit demokratë të kongresit i kanë bërë thirrje gjithashtu Nënpresidentit Mike Pence të aktivizojë mekanizmin e parashikuar në amendamentin e 25-të, i cili ofron një mënyrë alternative dhe ndoshta më të shpejtë për të hequr presidentin nga detyra. Nënpresidenti Pence nuk është përgjigjur, por thuhet se u ka thënë kolegëve se ai nuk e favorizon një veprim të tillë.
I miratuar në vitet 1960, Amendamenti i 25-të i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara lejon transferimin e përkohshëm të pushtetit nga presidenti te nënpresidenti, nëse presidenti është paaftësuar, me miratimin e shumicës së Kabinetit. Por analistët thonë se ky opsion mund të jetë i vështirë për t’u ushtruar me vetëm disa ditë të mbetura nga presidenca Trump.
Fuqia mund të rikuperohet
"Është gjithashtu shumë e vështirë të vihet në përdorim amendamenti i 25-të, në një situatë në të cilën presidenti nuk është në gjendje kome ose nuk është përndryshe fizikisht i paaftë duke mos patur mundësinë të funksionojë ose të veprojë, pasi presidenti thjesht mund të njoftojë Kongresin se ai është në gjendje të rimarrë sërish kompetencat e postit dhe të rimarrë kështu pushtetin”, tha John Hudak, një ekspert për studimet e qeverisjes në Institutin Brookings.
Udhëheqësi i pakicës në Senat Chuck Schumer dhe zonja Pelosi paralajmëruan se nëse Nënpresidenti Pence nuk vepron, atëherë ligjvënësit demokratë do të hedhin në votim akuzat për shkarkimin.
"Veprimet e rrezikshme dhe nxitëse të presidentit kërkojnë largimin e tij të menjëhershëm nga detyra", thanë të enjten zoti Schumer dhe zonja Pelosi.
Një numër i madh i ligjvënësve demokratë - dhe disa republikanë - kanë shprehur mbështetje për largimin e Presidentit Trump nga pushteti ose për censurimin e veprimeve të tij. Por pas komenteve të zonjës Pelosi, udhëheqësi i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, sinjalizoi se ai nuk e mbështeste shkarkimin nga Kongresi.
"Shkarkimi i presidentit me vetëm 12 ditë të mbetura në mandatin e tij do të ndajë vendin tonë më tej", tha ai.
Zoti McCarthy tha se ai kishte kontaktuar Presidentin e zgjedhur Biden për të planifikuar të bisedonin se si të punojnë së bashku për të ulur tensionet dhe për të bashkuar vendin.
Pesë persona vdiqën si rezultat i trazirave të mërkurën në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara. Mbështetësit e presidentit çanë barrierat mbrojtëse të Policisë së Kapitolit në përpjekje për të ndaluar një seancë të përbashkët të Kongresit për numërimin e votave elektorale dhe çertifikimin e fitores së zotit Biden.
Më herët gjatë ditës, Presidenti Trump mbajti një tubim në Shëtitoren Kombëtare dhe inkurajoi mbështetësit e tij për të protestuar ndaj rezultateve. Shkelja masive e sigurisë nga protestuesit pro-Trump shënoi herën e parë që Kapitoli i Shteteve të Bashkuara ishte sulmuar që kur britanikët hynë në të gjatë Luftës së 1812-tës.
Presidenti Trump u akuza për abuzim të pushtetit dhe pengim të Kongresit në dhjetor 2019, por u shpall i pafajshëm në një gjyq në Senat në shkurt 2020. Asnjë president amerikan nuk është përballur me dy votime për shkarkim.
Dy arsyet e paraqitura
"Ka dy arsye për ta realizuar shkarkimin", tha Paul Berman, një profesor në Shkollën e Drejtësisë të Universitetit George Washington. “Njëra është thjesht për ta bërë të qartë se një president në detyrë që nxit një kryengritje kundër qeverisë së Shteteve të Bashkuara është ndoshta gjëja më e keqe që një president mund të bëjë ndonjëherë. Dhe kjo deklaratë duhet të bëhet. Së dyti, dhe ndoshta më pragmatike, nëse ai shpallej fajtor dhe dënohej, kjo do t'ia hiqte mundësinë e rikandidimit në të ardhmen”.
Ndërsa nuk ka gjasa që ligjvënësit amerikanë të kenë kohë të kthehen në punë për të miratuar procedurat e komplikuara për një shkarkim para fundit të mandatit të Presidentit Trump, analistët thonë se një gjyq në Senat mund të mbahet pasi presidenti të largohet nga detyra.
"Nuk ka asgjë nga ç'shoh unë në Kushtetutë që do të ndalonte që një gjyq për hetimin dhe dënimin të zhvillohej në ditët pasi ai të linte detyrën", tha zoti Berman. "Ne duhet të ngremë procesin e llogaridhënies që bën të qartë se një president nuk mund të bëjë atë që bëri ai dhe gjithashtu sepse duam t'i paraprijmë mundësisë që ai të mbajë poste sërish".
Facebook Forum