Lidhje

Presidenti Obama i bën thirrje Senatit të miratojë Traktatin e ri START


Presidenti Obama i bën thirrje Senatit të miratojë Traktatin e ri START
Presidenti Obama i bën thirrje Senatit të miratojë Traktatin e ri START

Presidenti Barak Obama po i bën thirrje Senatit të ratifikojë traktatin e ri START për pakësim e armëve bërthamore me Rusinë para përfundimit të sesionit të tanishëm të Kongresit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kent Klain na informon nga Shtëpia e Bardhë se koha nuk pret.

Presidenti Obama thotë se miratimi i traktatit të ri START është përparësi urgjente kombëtare.

"Ratifikimi i një trakti si ai START nuk ka të bëjë me fitoret e një administrate apo të ndonjë partie politike. Ai ka të bëjë me mbrojtjen dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Presidenti bëri përsëri thirrje për miratimin e traktatit START në fjalimin e përjavshëm të së shtunës. Senatorët pritet të debatojnë dhe të votojnë për traktatin në ditët e ardhëshme, ndërkohë që sesionit të tanishëm po i vjen fundi. Republikanët që janë kundër ratifikimit të traktatit kërcënojnë të paraqesin shtojca për ligjin që si rrjedhim do të ngadalësonte procesin.

Zoti Obama u solli atyre në vemendje se traktati i mëparshëm për armët bërthamore ka skaduar dhe se Shtetet e Bashkuara nuk janë më në gjendje të verifikojnë arsenalin bërthamor të Rusisë.

"Çdo minutë që ne vonohemi do të thotë se nuk kemi inspektorë në terren atje ku janë objektet bërthamore të Rusisë”.

Presidenti theksoi gjithashtu se mosratifikimi i traktatit START ose vonimi i miratimit të tij do të dëmtonte përpjekjet për përmirësimin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Rusinë.

"Pa një traktat të ri, ne rrezikojmë përparimin e bërë në marrëdhëniet me Rusinë që janë esenciale për vënin në zbatim të sanksioneve të rrepta kundër Iranit, rrezikojmë që materialet bërthamore të bien në duart e terroristëve dhe rrezikojmë gjithashtu furnizimin e trupave tona në Afganistan”.

Disa ligjvënës republikanë thonë se traktati nuk është adekuat për për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara nga raketat apo për modernizimin e arsenalit bërthamor amerikan.

Presidenti thotë se traktati i ri START është shqyrtuar nga Senati për shtatë muaj dhe ka kaluar nëpër 18 seanca dëshmish në Kongres me rreth një mijë pyetje që kanë marrë përgjigje. Ai thotë se traktati ka mbështetjen e çdo sekretari republikan të Shtetit që jeton, të aleatëve të NATO-s, udhëheqësve ushtarakë amerikanë dhe disa senatorëve republikanë.

Zoti Obama dhe Presidenti i Rusisë, Dmitri Medvjedev, e nënshkruan traktatin e ri START në muajin prill në Pragë. Duma ruse pritet ta ratifikonte marrëveshjen pas ratifikimit të tij nga Senati amerikan.

Presidenti Obama e ka shtyrë fillimin e pushimeve të Krishtlindjeve me familjen në Havai, duke qendruar në Uashington në pritje për të nënshkruar traktatin e ri START dhe ligje të tjera.

XS
SM
MD
LG