Lidhje

Obama, thirrje për shtyrjen e sanksioneve ndaj Iranit


Presidenti i informoi ligjvënësit lidhur me bisedimet në Gjenevë mes Iranit dhe 6 fuqive botërore, që pritet të rifillojnë nesër dhe mbi vazhdimin e politikave aktuale të administratës, për t’i dhënë një shans diplomacisë në çështjen e Iranit.Presidenti amerikan Barak Obama u ka kërkuar ligjvënësve të shtyjnë vendosjen e sanksioneve të reja kundër Iranit, ndërkohë që negociatat ndërkombëtare që synojnë frenimin e programit bërthamor të Teheranit janë duke vazhduar.

Presidenti Obama priti udhëheqësit e Senatit në Shtëpinë e Bardhë dje për bisedime që zyrtarët thonë se "u përqendruan vetëm në çështjen e Iranit." Presidenti, së bashku me Sekretarin e Shtetit John Kerry dhe Këshilltaren për Sigurinë Kombëtare Susan Rice, u bëri thirrje ligjvënësve që të mos pengojnë progresin e arritur në bisedimet me Iranin ndërkohë që diplomatët perëndimorë në Gjenevë përpiqen të bindin Teheranin të bie dakord për një marrëveshje që do të ndalonte përparimin e programit të tij bërthamor për herë të parë në gati një dekadë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se duke marrë parasysh fillimin e raundit të ri të negociatave në Gjenevë, do të ishte mirë që Senati të mos votojë për vendosjen e sanksioneve të reja kundër Iranit.

"Veprimi i duhur për Senatin do të ishte të mos votonte për vendosjen e sanksioneve të reja për të parë nëse këto bisedime mund të lëvizin përpara dhe të përparojnë."

Shtëpia e Bardhë thotë se marrëveshja e Gjenevës do të lehtësonte sanksionet ndaj Iranit. Në këmbim të kësaj, udhëheqësit e Iranit do të duhet të tregojnë se ata nuk po përpiqen të prodhojnë armë bërthamore.

"Presidenti vuri në dukje se lehtësimi që ne jemi duke konsideruar si pjesë të një hapi të parë do të jetë i kufizuar, i përkohshëm dhe i kthyeshëm, dhe theksoi se ne do të vazhdojmë zbatimin e sanksioneve gjatë periudhës gjashtë -mujore."

Sanksionet ndërkombëtare e kanë dëmtuar ekonominë e Iranit.

Senatori republikan Bob Corker thotë se ai dhe disa senatorë të tjerë që morën pjesë në takimin në Shtëpinë e Bardhë, janë të shqetësuar se ky veprim mund të shihet si heqje dorë nga i vetmi ndikim që Uashingtoni ka ndaj Teheranit.

"Ne e dimë se më kë po merremi, i njejti problem na ka ndodhur me Korenë e Veriut, kur filluam lehtësimin e sanksioneve. Unë shqetësohem se çdo gjë që bëhet në baza të përkohshme mund të shndërrohet në një normë e re."

Menjëherë pas takimit, një grup dypartiak i senatorëve i ka dërguar një letër presidentit, duke i bërë thirrje administratës të refuzojë marrëveshjen e propozuar. Senatori republikan nga Arizona, John McCain dhe senatori demokrat nga Nju Jorku, Chuck Schumer ishin në mesin e gjashtë nënshkruesve të kësaj letre.

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Kina, Franca, Rusia dhe Gjermania duan që Irani të ndal aktivitetin e tij të pasurimit të uraniumit për të parandaluar këtë vend nga zhvillimin e armëve bërthamore. Irani thotë se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore.

Senatori Corker thotë se Senati nuk do të votojë për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Iranit para fundit të këtij muaji. Të ejten e ardhshme në Shtetete e Bashkuara është Dita e Falenderimeve.

Bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit rifillojnë sot në Gjenevë.
XS
SM
MD
LG