Lidhje

Pres. Obama sot takon senatorët për të diskutuar çështjen e Iranit


Presidenti Barack Obama sot do të takohet me senatorët për të diskutuar negociatat e grupit 5 + 1, ku përfshihen edhe Shtetet e Bsahkuara, me Iranin, lidhur me programin bërthamor të Teheranit dhe një propozim për një lehtësim modest të sanksioneve

Presidenti Obama ende po përballet me skepticizëm nga ligjvënësit që janë kundër çdo propozimi të parakohshëm për lehtësimin e sanksioneve ndaj Iranit.

Ligjvënësit janë gjithashtu të shqetësuar rreth kundërshtimit të Izraelit. Në deklaratat e fundit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u shpreh kundër arritjes së një marrëveshje "të keqe" me Teheranin.

Presidenti Obama sot do të takohet me udhëheqjen e Senatit, dhe kryetarët demokratë dhe republikanët në komisionet e senatit për bankat, marrëdhëniet me jashtë, forcat e armatosura dhe shërbimet e zbulimit.

Me afrimin e raundit të ardhshëm të bisedimeve me Iranin, Shtëpia e Bardhë po përsërit çështjet e njohura në lidhje me marrëveshjen e "fazës së parë" që grupi 5 +1 po përpiqet të negociojë me Iranin.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney tha se Presidenti Obama beson se Kongresi duhet të lejojë një "pauzë " në diskutimet për vendosjen e sanksioneve të reja në mënyrë që serioziteti i Iranit të mund të provohet.

"Duhet të ketë hapa konkrete në mënyrë që komuniteti ndërkombëtar të jetë absolutisht i sigurt, në mënyrë transparente, të verifikueshme, se ata kanë braktisur ambiciet për prodhimin e armëve bërthamore. "

Gjatë vizitës së tij në Izrael, presidenti francez Francois Hollande tha se sanksionet duhet të mbeten në fuqi për aq kohë sa Irani përfundimisht nuk heq dorë nga armët bërthamore. Irani vazhdimisht ka thënë se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore.

Dje në Departamentin e Shtetit, Sekretari John Kerry tha se Shtetet e Bashkuara respektojnë "debatin e hollësishëm", dhe shtoi se grupi 5 +1 , dhe të tjerët duhet të mbeten të bashkuar në qëllimin për të parandaluar Iranin të zhvillojë armë bërthamore.

"Në fund të fundit ne të gjithë jemi dakord se duhet të ketë një proces të verifikueshëm dhe të sigurt që garanton se Irani nuk do të zhvillojë armë bërthamore. Kjo pikëpamje ndahet nga miqtë tanë në Izrael, në rajon dhe natyrisht të gjithë ne këtu në Shtetet e Bashkuara dhe në Kongresin Amerikan."

Zëdhënësi Jay Carney këmbënguli përsëri se nuk ka asnjë dallim mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit mbi qëllimin përfundimtar për të parandaluar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.

I pyetur nëse ndarja e informatave me Izraelin përfshinë edhe të gjitha hollësitë e negociatave, zëdhënësi Carney vetëm tha se Shtetet e Bashkuara konsultohen rregullisht me Izraelin, dhe ndajnë një sasi të konsiderueshme të informacionit mbi një sërë çështjesh.
XS
SM
MD
LG