Lidhje

Obama, Kongresi kontakte për sfidën fiskale


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, është kthyer në Uashington pas fitores vendimtare në zgjedhjet presidenciale ndaj republikanit, Mit Romni. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Dan Robinson, na informon se çështja parësore për presidentin dhe Kongresin është shmangija e përplasjeve fiskale në fillim të vitit të ardhshëm.

Zoti Obama po merr masa për të realizuar atë që premtoi në fjalimin që mbajti në Çikago me rastin e pranimit të mandatit të tij të dytë si president. Me një fitore të theksuar të Kolegjit Elektoral dhe me një diferencë jo të madhe votash popullore ndaj rivalit të tij republikan, Mit Romni, zoti Obama tha se amerikanët votuan për “veprim dhe jo për politikën e zakonshme” dhe tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me Kongresin.

"Në javët dhe muajt e ardhshëm, unë do të punoj me udhëheqësit e të dy partve për të përballuar sfidat që ne vetëm sëbashku mund t’i zgjidhim, të ulim deficitin, të reformojnë kodin e taksave, të rregullojmë sistemin tonë të imigracionit, të çlirohemi nga varësia tek nafta nga jashtë. Ne kemi punë për të bërë”.

Presidenti Obama u telefonoi udhëheqësve republikanë dhe demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit, përfshirë edhe kryetarin republikan Xhon Bojner.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë ai përsëriti angazhimin e tij “për të gjetur zgjidhje dy partiake për të ulur deficitin në mënyrë të balancuar, për të ulur taksat për familjet e shtresës së mesme dhe për bizneset e vogla dhe për të krijuar vende të reja pune”.

Por kompromiset në Uashington janë të vështira dhe afati i skadimit të taksave të ulta të miratura gjatë administratës së Presidentit Bush, si dhe shkurtimit të detyrueshëm të shpenzimeve po afrohet.

Dje, zoti Bojner shprehu gatishmërinë për të bërë kompromis për çështje të tilla të mprehta si të ardhurat e reja, duke thënë se kjo mund të realizohet nëpërmjet reformës së taksave. Bojner la të kuptohet se është i hapur për negociata të reja për marrëveshje më të gjera për të zgjidhur çështjet e deficitit dhe borxhit të vendit.

"Ajo që ne mund të bëjmë është të shmangim thellimin e deficitit duke gjetur mënyra që të fillojmë të zgjidhim problemin në vitin 2013”.

Për të fituar mbështetjen e republikanëve, zoti Bojner tha se Presidenti Obama duhet të pranojë shkurtimin e shpenzimeve dhe të bërjen e ndryshmeve në programet e mëdha sociale.

Tomas Man, analist politk në Institutin Brukings tha se presidenti mund të ketë disa mënyra për të kapërcyer ngecjen, por atmosfera e përgjithëshme e polarizuar e vendit nuk ka ndryshuar.

"Po t’i hedhim një vështirm anëtarëve të koalicioneve respektive të partive dhe intensitetit të votimit në linja partiake, ne nuk shikojmë daljen e ndonjë koalicioni të ri, asnjë shenjë mbi të cilën të ndërtojmë konsensus në Uashington mbi bazën e qendrimit të elektoratit”.

Pritet që Presidenti Obama të shtojë këshillimet me zotin Bojner dhe udhëheqës të tjerë të Kongresit tani që po afrohet skadimi i afatit fiskal.

Se si zoti Obama dhe Shtëpia e Bardhë do t’i përgjigjen predispozitës së zotit Bojner do të shihet në ditët e ardhëshme kur të intensifikohen negociatat për afatin fiskal.
XS
SM
MD
LG