Një miliarder rus ka paguar 100 milion dollarë për një shtëpi në Shtetet e Bashkuara, një nga më të shtrenjtat të shitura në Amerikë.
Juri Milner, sipërmarrësi 49-vjeçar që drejton Digital Sky Technologies, pagoi një shumë rekord për shtëpinë prej 720 metrash katrorë me pamje nga gjiri i San Fransiskos në Kaliforni. Modeli i ngjan një shtëpie franceze me pesë dhoma gjumi, nëntë banja dhe ka një obor prej katër hektarësh. Ajo ka gjithashtu një sallë vallëzimi dhe pishina brenda dhe jashtë.
Tregu amerikan i shtëpive ka qenë në rënie që nga fillimi i krizës ekonomike të vitit 2008. Miliona shtëpi janë marrë nga bankat pasi pronarët nuk arrinin të paguanin kreditë mujore. Shitjet dhe çmimet kanë rënë dukshëm për shtëpitë që blejnë shumica e amerikanëve. Megjithatë, ekspertët e industrisë imobiliare thonë se tregu i shtëpive të shtrenjta nuk është ndikuar shumë.
Zoti Milner ka investuar shumë në disa kompani amerikane, duke përfshirë rrjetin e biznesit në faqen sociale Facebook, kompaninë e çmimeve të ulëta Groupon dhe prodhuesin e lojërave elektronike Zinga. Ai jeton në Moskë me gruan e tij dhe dy fëmijë dhe nuk duket se ka në plan të transferohet së shpejti në Shtetet e Bashkuara.
Shtëpia u shit nga Fred Çan, themelues i ESS Technology dhe gruaja e tij Eni.