Ajo u quajt Lufta e Ftohë për shkak se të dyja palët kundërshtare nuk dëshironin fillimin e një konflikti të drejtpërdrejtë dhe të armatosur, pasi mendohej se armët bërthamore mund të shkatërronin gjithçka. Prandaj, ata luftuan duke mbështetur palë kundërshtare në konflikte në zona të ndryshme të botës si dhe me deklarata të ndërsjellta, që shpesh herë synonin të bënin armikun të dukej qesharak.
Gjatë Luftës së Ftohtë, përveç dy grupeve kundërshtare – atij të SHBA-së së bashku me vendet perëndimore e demokratike nga njëra anë dhe Bashkimit Sovjetik me vendet lindore e komuniste nga ana tjetër – ekzistonte edhe një grup i tretë. Ky grup ishte i përbërë nga vendet që nuk dëshironin të ishin aleatë të njërës apo tjetrës palë në luftë.
Harry Truman ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara kur filloi Lufta e Ftohtë. Strategjia e tij për luftën përfshiu edhe të ashtuquajturën “Doktrina Truman”, e cila ishte një plan për t’u dhënë fonde vendeve të kërcënuara nga komunizmi. Ky plan funksionoi mjaft mirë në rastin e Turqisë dhe Greqisë, të cilat nuk arritën të zotëroheshin nga sovjetikët falë fondeve amerikane. Me rëndësi ishte edhe “Plani Marshall”, që kishte si qëllim përforcimin e ekonomive dhe qeverive të Evropës perëndimore me anë të financimit të tyre.
Pas Luftës së Dytë Botërore vendet fituese të luftës vendosën të ndanin Gjermaninë në dy pjesë dhe Berlini ishte në pjesën lindore të vendit që zotërohej nga komunistët. Por megjithatë pjesa perëndimore e qytetit iu la në dorëzim Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre. Një nga momentet më të tensionuara të Luftës së Ftohtë ishte bllokimi nga ana e Bashkimit Sovjetik i rrugëve dhe hekurudhave që çonin në pjesën perëndimore të qytetit. Presidenti Truman vendosi të përgjigjej duke dërguar furnizime me ushqime, qymyr, dhe ilaçe me anë të aeroplanëve ushtarakë. Në këtë veprim, që zgjati më tepër se një vit, Shtetet e Bashkuara u mbështetën dhe u ndihmuan nga Britania e Madhe dhe Franca.
Në vitin 1949 u krijua Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior, e njohur si NATO-ja. Synimi i kësaj aleance ushtarake ishte mbrojta kundër forcave sovjetike në Evropë. Gjashtë vjet më vonë, Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tij evropiano-lindorë formuan aleancën e tyre ushtarake të quajtur Pakti i Varshavës.
Në vitin 1953, udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik Josif Stalini vdiq. Kjo i dha mundësinë presidentit të atëhershëm amerikan Ajzsenhauer të fillonte të kumunikonte me udhëheqësit e rinj të vendit komunist. Në korrikun e vitit 1955, u zhvillua në Gjenevë të Zvicrës një takim historik midis presidentit Ajzenhauer dhe kryetarit Sovjetik të Bashkimit Nikolai Bulganin. Edhe pse nuk u arritën marrëveshje të mëdha, ai takim ishte me shumë rëndësi, qoftë edhe për vetë faktin se dy udhëheqësit e vendeve më të fuqishme në botë – njëkohësisht edhe kundërshtarë në Luftën e Ftohtë – i dhanë dorën njëri-tjetrit.
Po në vitet ’50, Shtetet e Bashkuara filluan të dërgonin këshilltarë ushtarakë për të ndihmuar Vietnamin e Jugut që të mbrohej nga Vietnami i Veriut, i cili ishte komunist. Ky ishte fillimi i asaj që më vonë do të shndërrohej në një luftë të gjatë. Shtetet e Bashkuara e panë veten zhytura në atë luftë, ku u vranë gjithashtu me dhjetëra mijëra ushtarë amerikanë.
Presidenti Xhon Kenedi pasoi zotin Ajzenhaur si President i Shteteve të Bashkuara në vitin 1961. Gjatë po atij viti, dhjetëra mijëra qytetarë gjermano-lindorë filluan të arratiseshin në perëndim. Qeveria e Gjermanisë Lindore ndërtoi një mur në Berlin duke ndarë kështu fizikisht pjesën perëndimore nga ajo lindore e qytetit. Rojet pranë këtij kufiri qëllonin me armë këdo që tentonte të arratisej duke kaluar murin.
Në vitin 1962, shërbimet amerikane të zbulimit njoftuan se në Kubë ishin vendosur raketa të Bashkimit Sovjetik. Ky zbulim solli tensione që mund të kishin çuar në fillimin e një lufte bërthamore. Por udhëheqësi sovjetik Hrushçov ra dakord të hiqte ato raketa prej vendit fqinj të SHBA-së, me kusht që Amerika të mos ndërhynte në Kubë.
Gjatë presidencës së zotit Kenedi u arritën disa marrëveshje të rëndësishme për pakësimin e rezervave të armëve, përshirë ato bërthamore. U instalua gjithashtu një linjë e drejtpërdrejtë telefonike midis Kremlinit dhe Shtëpisë së Bardhë.
Këto përmirësime në marrëdhëniet midis dy vendeve vazhduan edhe në kohën e presidentit Nikson. Ai dhe udhëheqësi sovjetik Brezhnjev u takuan disa herë dhe nënshkruan të tjera marrëveshje mbi kontrollin e stoqeve të armëve.
Por, ngjarja që do të sillte ndryshime rrënjësore në marrëdhëniet midis dy vendeve ishte zgjedhja e Mikail Gorbaçovit si ushëheqës i Bashkimit Sovjetik në vitin 1985. Ai u takua katër herë me presidentin amerikan Regan. Udhëheqësi Gorbaçov tërhoqi trupat sovjetike nga Afganistani si dhe nënshkroi një marrëveshje për zhdukjen totale të raketave bërthamore me rreze të mesme dhe të shkurtër.
Ai gjithashtu vendosi të mos ndërhynte kur në vitin 1989 vendet e Evropës Lindore filluan të shkëpusnin një nga një kontaktet me Kremlinin, si pasojë e protestave popullore brenda tyre. Muri i Berlinit, simboli i Luftës së Ftohtë, u rrëzua në nëntor të atij viti. Brenda disa muajve Gjermania u bashkua. Në vitin 1991, vendet e Paktit të Varshavës e deklaruan atë aleancë zyrtarisht të përfunduar. Lufta e Ftohtë kishte marrë fund.