Rreth 1,500 emigrantë, kryesisht nga Amerika Qendrore dhe Jugore, formuan një karvan të mërkurën në Meksikën jugore, me shpresën për të udhëtuar drejt kufirit të Shteteve të Bashkuara.
Një pjesë e tyre shpresojnë të arrijnë në Shtetet e Bashkuara përpara inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Donald Trump në janar. Ata mendojnë se hyrja në Shtetet e Bashkuara mund të jetë më e vështirë pas fillimit të mandatit të zotit Trump. Ata filluan të ecin nga Tapaçula, afër kufirit me Guatemalën, ku mijëra emigrantë janë bllokuar sepse nuk kanë leje të hyjnë në Meksikë.
Çfarë janë karvanet e emigrantëve?
Karvanët e migrantëve filluan të formoheshin në vitin 2018 dhe u bënë një shpresë e fundit për migrantët më të varfër që nuk ishin në gjendje të paguanin kontrabandistët. Nëse migrantët përpiqen të kalojnë Meksikën vetëm ose në grupe të vogla, ata shpesh ndalohen nga autoritetet dhe kthehen në Meksikën jugore apo dëbohen për në vendet e tyre të origjinës.
Lëvizja në grupe të mëdha prej qindra njerëzish e bënte të vështirë apo të pamundur për agjentët e imigracionit që t’i ndalonin ata. Kështu që, policia dhe agjentët e imigracionit shpesh përpiqen të ndalojnë grupe më të vogla emigrantësh dhe presin zvogëlimin e karvanit para se të ndërhyjnë.
Zakonisht, karvanët ndalojnë apo shpërbëhen brenda 250 kilometrave të rrugëtimit.
Cilat janë pengesat?
Nuk ka siguri kundër kërcënimeve, grabitjeve ose rrëmbimeve nga kartelet e drogës në Meksikë, të cilat janë përfshirë edhe në trafikimin e emigrantëve. Kartelet kërkojnë pagesa nga migrantët apo kontrabandistët e tyre për të kaluar në zonat përgjatë kufirit, ku ata operojnë. Përveç kësaj, bandat shpesh rrëmbejnë emigrantë, i mbajnë në kushte të tmerrshme, ose i torturojnë, derisa ata të telefonojnë të afërmit për të dërguar para në këmbim të lirimit të tyre.
Megjithatë, pengesa më e madhe është vapa e madhe, dehidratimi dhe distanca mbi 1,770 kilometra nga qyteti Tapaçula deri në qytetin Matamoros, në kufi të Meksikës me shtetin amerikan të Teksasit. Dhe kjo është rruga më e shkurtër, por edhe një nga më të rrezikshmet. Duhen 16 ditë ecje pa pushim për ta përshkuar këtë distancë. Kjo është më e vështirë për shumë emigrantë që marrin me vete fëmijët e tyre.
Pse e bëjnë këtë rrugë?
Meqenëse emigrantët zakonisht nuk mund të gjejnë punë për të mbajtur veten në Tapaçula, shumica e të huajve të bllokuar atje detyrohen të largohen. Disa prej tyre ndjejnë një lloj urgjence për t’u larguar.
“Do të jetë më e vështirë” pas inaugurimit të Presidentit Trump më 20 janar. "Kjo është arsyeja pse ne jemi nisur. Duam të mbërrijmë atje para se ai të marrë detyrën", thotë Yotzeli Peña, një emigrant 23 vjeçar nga Venezuela. "Kjo do të ishte më e lehtë."
A ka patur përpjekje për të frenuar krijimin e karvaneve?
Këtë vit, në një përpjekje për të frenuar krijimin e radhëve të njerëzve në kufi për të kërkuar azil, qeveria e Shteteve të Bashkuara zgjeroi zonat nga ku migrantët mund të aplikojnë përmes internetit për caktuar një takim për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë pjesën më të madhe të Meksikës jugore.
Aplikacioni i celularëve “CBP One” u krijua për t'i bërë kërkesat për azil më të rregullta. Rreth 1,450 takime në ditë ofrohen përmes këtij aplikacioni, duke inkurajuar emigrantët që të regjistrohen përpara se të paraqiten në kufi. Por ky shërbim ofrohej vetëm për migrantët në Meksikën veriore dhe qendrore.
Duke e shtrirë mundësinë e përdorimit të aplikacionit në jug të Meksikës, në Tapaçula, zyrtarët shpresonin se kjo do të ndalonte udhëtimin e imigrantëve drejt veriut. Megjithatë, një pjesë e emigrantëve duan të jenë afër kufirit, në mënyrë që nëse caktojnë një takim të tillë, të mund të arrijnë në kufi shpejt. Zoti Trump ka premtuar mbylljen aplikacionit, kufizimin e rrugëve ligjore të emigrimit në Shtetet e Bashkuara dhe organizimin e dëbimeve masive të emigrantëve të paligjshëm.
A arrijnë karvanët në kufi?
Karvanët më të mëdhenj u formuan në 2018 dhe 2019, dhe në atë kohë zyrtarët meksikanë ndihmuan disa nga emigrantët duke ofruar transportimin e tyre me autobusë drejt qyteteve kufitare. Por kjo shkaktoi reagime nga banorët e këtyre qyteteve. Grupet e imigrantëve nga karvanet origjinale përfundimisht arritën në kufi.
Që atëherë, shumica e pjesëmarrësve në karvane janë përpjekur të hipin në kamionë ose të paguajnë për mjete të tjera transporti. Por kjo është bërë shumë më e vështirë pasi autoritetet meksikane u kanë bërë thirrje shoferëve të autobusëve, taksive dhe kamionëve që të mos ndalojnë në rrugë për të marrë migrantët.
Në vitet e fundit, autoritetet kanë filluar të ofrojnë leje të përkohshme tranziti për të shpërbërë karvanët.