Lidhje

Kosovë: paditë ndaj veprimtarëve për mbrojtjen e mjedisit


Kosovë: paditë ndaj veprimtarëve për mbrojtjen e mjedisit
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:44 0:00

Shpresa Loshaj, veprimtare për mbrojtjen e mjedisit, në një bisedë me Zërin e Amerikës tha se mbështetja që mori të hënën nga organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International, e siguron atë se është në rrugë të drejtë.

Amnesty International i bëri thirrje të hënën kompanisë ‘KelKos Energy" e cila është përgjegjëse për hidrocentralet në një zonë të mbrojtur mjedisore në pjesën perëndimore të Kosovës, të tërheqë paditë ndaj veprimtarëve që janë vënë në mbrojtje të mjedisit, ndër ta edhe zonja Loshaj.

Mbështetja e Amnesty International po na siguron se ne mund të flasim lirshëm në Kosovën demokratike dhe na siguron që ne jemi në rrugë të drejtë. Liria e fjalës është e drejtë themelore, e mbrojtur me Kushtetutën e Kosovës por gjithashtu edhe me disa konventa ndërkombëtare, pjesë e të cilave janë edhe Kosova edhe Austria. Prandaj janë të obliguara t’i respektojnë ato dhe të sigurojnë një hapësirë ku qytetarët ndihen të lirë e të sigurtë të flasin në mbrojtje të mjedisit”, thotë ajo.

Në vitin 2020 kompania Kelkos Energy - përgjegjëse për hidrocentralet në qytetin e Deçanit në Kosovë, akuzoi aktivisten Shpresa Loshaj për përpjekje për të dëmtuar reputacionin e kompanisë me "deklarata të pavërteta", duke kërkuar 100 mijë euro dëmshpërblim, kërkim falje publike si dhe përmbajtje nga deklarimi i, siç thuhet, "fakteve të pavërteta" në lidhje me kompaninë në të ardhmen. Po atë vit, Kelkos Energy paditi edhe aktivistin, Adriatik Gacaferi për një postim në rrjetin social Facebook në të cilin ai kritikoi operacionet e kompanisë, duke kërkuar tërheqjen e shkrimit të tij dhe 10 mijë euro dëmshpërblim.

Në komunikatën e organizatës Amnesty International thuhet se Shpresa Loshaj dhe Adriatik Gacaferi kanë bërë fushatë të palodhshme për të ngritur shqetësimet lidhur me efektet mjedisore në zonën e mbrojtur të rajonit të Deçanit.

"Këta aktivistë guximshëm kanë mbrojtur komunitetin e tyre dhe mjedisin e tyre, ndërsa paditë e Kelkos Energy duket se janë një përpjekje cinike për t’i heshtur ata”, thotë Jelena Sesar, hulumtuese për Ballkanin Perëndimor në këtë organizatë.

Amnesty International ka analizuar ankesat e Kelkos Energy, mbrojtësve të aktivistëve dhe informacione shtesë publike dhe ka ardhur në përfundimin se këto padi janë “Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike”, të njohura si SLAPP.

Ekspertja ligjore, Flutura Kusari, i tha Zërit të Amerikës se padi të tilla synojnë frikësimin dhe heshtjen e veprimtarëve, gazetarëve dhe institucioneve.

Qëllimi i tyre është që t’i frikësojnë aktivistët dhe t’i pengojnë ata që të marrin pjesë publikisht në diskutime të ndryshme. Nuk kanë bazë ligjore, bëhen nga njerëz të fuqishëm dhe biznesmenë për shkak se ata kanë para, janë të pasur dhe nuk u kushton asgjë të angazhojnë disa avokatë dhe të ngrisin padi. Ndërkaq për aktivistët kushton shumë, financiarisht dhe në kohë sepse kërkon përgatitje. Plus që në Kosovë e në Ballkan në përgjithësi një rast mund të zgjasë deri në dhjetë vite", thotë zonja Kusari.

Rrjedhimisht, thotë ajo, i takon gjykatës ta hedhë poshtë padinë ndaj dy veprimtarëve.

Ndërsa në nivel qendror aktualisht Komisioni Evropian është duke punuar rreth draftimin të një directive kundër padive SLAPP. Ajo që i takon shtetit tonë është që të përcjellë këto zhvillime ndërkombëtare dhe posa të kemi direktivë, ajo të zbatohet në nivel vendor”, thotë zonja Kusari.

Bëjmë thirrje dhe shpresojmë që kjo çështje të dal para drejtësisë sa më shpejtë sepse është shumë e rëndësishme që kjo çështje të trajtohet dhe të vendoset qartë se këto padi janë SLAPP që kanë synim heshtjen tonë, në mënyrë që banorët e Deçanit të mos ndihen të frikësuar nga Kelkos dhe askush tjetër kur dëshirojnë të ngrisin zërin qoftë për ambientin apo ndonjë çështje tjetër”, thotë zonja Loshaj.

KelKos: Vlerësimi i Amnesty International - duhet të konsiderohet si problematik.

Në një përgjigje përmes postës elektronike, kompania Kelkos Energy i tha Zërit të Amerikës se refuzon në tërësi pretendimet se paditë ndaj kētyre veprimtarëve janë SLAPP.

“Akuzat e pabaza, që janë deklaruar në mënyrë të përsëritur nga zonja Loshaj dhe zoti Gacaferi, nuk përfaqësojnë asnjë lloj kriticizmi konstruktiv ndaj hidrocentraleve në Lumin e Deçanit. Përkundrazi, ne po ballafaqohemi për tre vite me një kampanjë destruktive të tyre, me akuza të gabuara dhe shpifëse. KelKos Energy do të vazhdoj të mbrojë reputacionin e korporatës në kuptim të sundimit të ligjit”, tha Georg Woeber, drejtor i kësaj kompanie.

Ai tha se hidrocentralet e KelKos Energy janë plotësisht në pajtim me kornizën ligjore dhe kushtet mjedisore të Kosovës, duke nënvizuar se as edhe një kilovat në orë e energjisë nuk është prodhuar pa lejet e nevojshme.

“E gjithë kjo është dokumentuar nga KelKos Energy nëpërmjet një raporti gjithëpërfshirës për Amnesty International prej më shumë se 20 faqeve, që kundërshton me fakte çdo pretendim të kësaj organizate. Por, fatkeqësisht argumentimi ynë – përkundër normave dhe rregullave të hetimit profesional dhe të drejtë – është konsideruar fare pak, as nuk është reflektuar në konkluzionin përmbledhës dhe vlerësimin përfundimtar të Amnesty International”, tha zoti Woeber.

Ai shtoi se raportit të organizatës Amnesty International i mungon, siç tha, qasja e balancuar dhe se rrjedhimisht “vlerësimi i kësaj organizate duhet të konsiderohet si problematik”.

“Deri në këtë datë, Amnesty International as që ka tentuar ndonjë komunikim të drejtpërdrejtë me KelKos Energy për të diskutuar pretendimet e tyre. Në vend të kësaj, Amnesty International pranon një raport të afërt me avokatin e zonjës Loshaj dhe zoti Gacaferit”, theksoi zoti Woeber.

Rrjedha e lumit Lumbardh në grykën e Deçanit në Kosovën perëndimore, është shndërruar në çështje përplasjesh në mes të atyre që synojnë ndërtimin e hidrocentraleve dhe mbrojtësve të mjedisit. Përgjatë rrjedhës së tij kanë mbirë katër projekte hidrocentralesh, duke nxitur reagimin e mbrojtësve të mjedisit dhe protestat e banorëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG