Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, i bëri thirrje sot prokurorisë që të punojë me përparësi për ndriçimin e rrethanave në të cilat një 26 vjeçar humbi jetën, pasi u hodh nga një ndërtesë e qendrës së studentëve në Prishtinë, e cila po shfrytëzohet si karantinë për të kthyerit nga jashtë Kosovës.
“Ne si institucion sot nuk mund t’i lejojmë vetes të flasim për gjëra të pavërtetuara dhe nuk mund të paragjykojmë asnjë element të rastit. Por nga ministria e Shëndetësisë dhe qeveria do të ushtrohen të gjitha përgjegjësitë institucionale dhe do të zbardhet çdo e dhënë që ka të bëjë me rastin. Prej angazhimit të udhëtimit nga ambasada e Kosovës në Gjermani, pritjes e vizitës mjekësore në aeroport dhe shoqërimin në qendrën e studentëve”, tha zoti Vitia.
Zoti Vitia tha në një konferencë me gazetarë se i riu nga qyteti i Gjilanit, ishte nga Gjermania ku po studionte, dhe ishte vendosur në karantinë 24 orë para ngjarjes.
Prokuroria në Prishtinë tha se ka filluar hetimet rreth kësaj ngjarjeje e cila nxiti shumë reagime të institucioneve e partive politike që kërkuan ndriçimin e rrethanave që çuan në vdekjen e të riut dhe përgjegjësi nga institucionet që trajtojnë të kthyerit në kohë pandemie.
Qendra e Studentëve në Prishtinë është shndërruar në karantinë në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Të hënë autoritetet thanë se kanë kryer 254 teste dhe janë konfirmuar vetëm 4 raste të të prekurve nga të cilët dy nga komuna e Mitrovicës, 1 nga komuna e Rahovecit dhe një nga komuna e Prizrenit.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, deri të hënën mbrëma 26 veta kanë humbur jetën ndërsa 403 janë shpallur të shëruar.
Nga e hëna ka filluar lehtësimi i masave kufizuese dhe qytetarët do të kenë mundësi të lëvizin dy herë në ditë nga një ore e gjysmë, ndërsa filloi edhe hapja e disa veprimtarive ekonomike.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se lehtësimi i masave bëri që të shtohet lëvizja e qytetarëve duke tërhequr vërejtjen se kjo është sjellje e rrezikshme dhe se lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve sic është mbajta e distancimit fizik dhe vendosja e maskave,
Sipas planit të autoriteteve heqja e masave kufizuese do të vazhdojë në dy faza të tjera, nga 18 maji dhe nga 1 qershori, por në rast të shtimit të numrit të të infektuarve masat shtrënguese do të rivendosen.
Facebook Forum