Lidhje

BB për Kosovën: rritja ekonomike më 2019, 4.4 për qind – por pak vende pune


Banka Botërore tha se ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2019 pritet të rritet me 4.4 për qind, e nxitur kryesisht nga investimet publike dhe private.

Ky përfundim është pjesë e një raporti mbi Evropën Juglindore, ku bëhet thirrje për përshpejtim të reformave në mënyrë që rritja aktuale të krijojë më shumë vende pune.

Sipas raportit, investimet kapitale pritet ta mbajnë rritjen ekonomike në Kosovë gjatë këtij viti. Por, sfidë mbetet hyrja e madhe e të rinjve në tregun e punës dhe shpenzimet e larta publike, që nuk do të jenë të mjaftueshme për të ulur sa duhet papunësinë e lartë kronike.

BB: Kosova me rritje ekonomike 4,4 për qind për vitin 2019
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:31 0:00

Marco Mantovanelli, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën, tha se me gjithë rritjen e lartë ekonomike, krijimi i vendeve të reja të punës është ngadalësuar dhe kjo sipas tij, po ndodh në tërë rajonin.

“Prandaj rritja ekonomike nuk po krijon vende të mjaftueshme pune dhe ne e dimë se ky rajon dhe Kosova posaçërisht kanë nevojë për rritje ekonomike që krijon vende të punës”,tha ai.

Zoti Mantovanelli tha se mënyra e shpërndarjes së buxhetit mbetet një nga problemet kryesore të brendshme të Kosovës.

“Pagat dhe rritja e sektorit publik me më shumë kategori përfituese të posaçme siç janë veteranët e luftës dhe të tjerë, janë duke e marr një pjesë të madhe të buxhetit. Kjo nuk do duhej të ishte problem nëse ke burime të shumta dhe për të vendosur nëse dëshiron të mbështesësh popullin tënd me arsimim më të mirë, kujdes shëndetësor më të mirë dhe përmirësimin e mjedisit për sektorin privat. E shohim shqetësues buxhetin e shtetit për mënyrën se si po ndahet”,tha ai

Raporti nxjerr në pah edhe rreziqet fiskale që dalin nga ligji i ri për pagat publike që u miratua nga parlamenti i Kosovës në fund të muajit shkurt, i cili sipas raportit mund të përkeqësojë politikat fiskale të Kosovës. “Rreziqe tjera fiskale mund të lindin nga rritja e shpenzimeve të pashënjestruara për mbrojtje sociale. Deri në vitin 2025, borxhi publik dhe garancionet mund të arrijnë 30 për qind të Bruto Prodhimit Vendor nëse rritja e shpenzimeve rrjedhëse vazhdon të tejkalojë rritjen e të hyrave”.

Banka Botërore bën thirrje për reforma në ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale, shtimin e investimeve në arsim dhe shëndetësi për të realizuar përfitimet e përparësisë demografike dhe për të përmirësuar shkathtësitë, angazhimin dhe punësimin e të rinjve dhe grave. Po ashtu bëhet thirrje për “rritjen e produktivitetit duke adresuar barrën rregullatore për bizneset, duke përmirësuar sistemin gjyqësor, adresimin e korrupsionit, si dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë mjedisore”.

Banka Botërore u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të zvogëlojnë rreziqet e mundshme nga paqëndrueshmëria ekonomike botërore pas përplasjeve ndërmjet vendeve kryesore në çështjet e tregtisë.

Në raportin e Bankës Botërore thuhet së në mënyrë që të drejtpeshohen rreziqet, Kosova duhet të zbatojë reformat që do të mundësonin krijimin e vendeve të reja të punës dhe krijimin e mbulesës fiskale në rast të ndonjë krize eventuale ekonomike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG