Lidhje

Kosovë, gratë e kthyera nga Siria nën hetime për përfshirje në terrorizëm


Prokuroria e Posaçme e Kosovës tha se janë hapur hetime ndaj 32 grave të kthyera javën e kaluar nga Siria, nën dyshimet për përfshirjen e tyre në grupet terroriste.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, prokurori i Prokurorisë së Posaçme, Sylë Hoxha tha se tashmë të kthyerit nga Siria janë liruar nga Qendra për mbajtjen e të huajve dhe se ndaj një pjese prej tyre kanë filluar hetimet.

“Hetimet po zhvillohen për përfshirje në terrorizëm dhe do t’i marrim të gjitha veprimet për t’i zhvilluar ato”, tha zoti Hoxha, sipas të cilit shumica prej grave të kthyera kanë qenë edhe më herët nën hetime.

Kosovë, hetime ndaj grave të kthyera nga Siria
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:58 0:00

“Hetimet do të vazhdojnë, pasi që edhe më parë kanë qenë nën hetime, por ato janë pezulluar për shkak se kanë qenë jashtë vendit”, tha prokurori Hoxha.

Ai tha se hetime ka pasur edhe ndaj një pjese tjetër që ende ndodhen në Siri.

Të premten mbrëma, autoritetet në Kosovës kthyen 110 qytetarë që kanë qëndruar në vatrat e luftës në Siri. Në mesin e të kthyerve ishin “katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë 9 fëmijë që kanë humbur prindërit në luftë”.

Edhe më tej në zonat e konfliktit, sipas të dhënave që ka siguruar policia e Kosovës, janë 30 luftëtarë, 49 gra dhe tetë fëmijë.

Autoritetet në Kosovë thonë se ata që kanë kryer vepra penale do të përgjigjen para drejtësisë, ndërsa të tjerëve do t’u ofrohen mundësi për rehabilitim dhe ri integrim.

Tashmë katër luftëtarëve u është caktuar masa e paraburgimit me kërkesë të prokurorisë së posaçme.

Rënia e grupit militant Shteti Islamik, që dikur kontrollonte mbi 100 mijë kilometra katrorë territor dhe së paku tetë milionë njerëz, ka bërë që shumë luftëtarë të tij të kapen ndërsa familjarët e tyre të mbahen kampeve të ndryshme.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri, rreth 400 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme. Mbi 70 veta kanë humbur jetën, ndërsa rreth 130 syresh janë kthyer nëpër vite prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Mbi 50 veta janë dënuar deri tash për përfshirje në luftërat në Lindjen e Mesme nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve.

XS
SM
MD
LG