Pa ndonjë vendim, përfundoi sot në Prishtinë një seancë e jashtëzakonshme e parlamentit të Kosovës për gjendjen në Luginën e Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.
Në mungesë të kuorumit, seanca është ndërprerë për t’i lënë mundësi plotësimit të një projekt rezolute me 13 kërkesa që përfshinë masat që duhet të ndërmerren për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në atë zonë.
Në tekstin e projekt rezolutës kërkohet që çështja e Luginës së Preshevës të bëhet pjesë e përhershme e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu aty kërkohet që qeveria e Kosovës të informojë institucionet dhe forumet ndërkombëtare për politikën diskriminuese që po ushtron shteti serb ndaj qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës. Në rezolutë kërkohet edhe që qeveria e Kosovës në dialog të ngulë këmbë që shqiptarët e Luginës së Preshevës të gëzojnë të drejtat e njëjta me qytetarët serbë në Kosovë.
Deputetët thanë se gjendja e shqiptareve në komunat e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, po përkeqësohet dita ditës ndërsa u kërkuan veprime konkrete në përmirësimin e saj.
Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, që ishte edhe nismëtare e këtij debati, tha se shtypja e shqiptarëve atje është e pashembullt dhe tregues që Serbia nuk e ka ndryshuar qasjen ndaj shqiptareve.
“Institucionet e Republikës së Kosovës, e po ashtu ato të Shqipërisë, duhet të kërkojnë televizion publik në gjuhën shqipe në Preshevë, Universitet në gjuhën shqipe në Bujanoc, investime të shqiptarëve në Medvegjë dhe heqjen e bazës ushtarake të Serbisë në Boroc të Bujanocit. Në këtë mënyrë shqiptarët kudo që janë dalin në ofensivë kundruall shtetit të Serbisë i cili nuk ka as keqardhje as pendesë për krimet nga e kaluara dhe as që i ka ndryshuar qëllimet e planet për neve për të ardhmen”, tha ai.
Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike tha se gjendja e rëndë e shqiptarëve atje është politikë e Serbisë, me synim që të nxisë largimin e tyre prej andej.
“Është vërtetë fatkeqësi që sot në vitin 2019 në Evropë, në këtë pjesë të Ballkanit, të Serbisë, të një shteti që synon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, shqiptarët e Luginës së Preshevës jetojnë në gjendje pa perspektivë totale, të diskriminimit etnik, kulturor dhe social. Ata edhe sot luftojnë për të drejtat e tyre elementare, për tekste shkollore, për mundësitë e nostrifikimit të diplomave, për përdorimin e simboleve kombëtare”, tha ai.
Nait Hasani, nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se shqiptarët atje duhet të trajtohen njëjtë si serbët në Kosovë.
“Aq të drejta sa kanë serbët në Kosovë me përqindje të numrit të banorëve, po ashtu të kenë të drejta shqiptarët në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc por edhe në Vrajë e të tjerë ku janë. Prandaj forma e reciprocitetit është forma më e mirë e mbrojtjes së identitetit dhe kulturës sonë dhe njerëzve tanë dhe asaj pjese si territor, si gjuhë, si arsim, si politikë dhe si shtetësi”, tha zoti Hasani.
Çështja e Luginës së Preshevës kishte nxitur debate së fundmi me idenë e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për korrigjim të kufirit me Serbinë dhe përfshirje të Luginës së Preshevës brenda territorit të Kosovës.
Madje ai i ka dërguar parlamentit një projekt rezolutë për këtë çështje, por e cila nuk është hedhur në debat. Në këtë dokument thuhet mes tjerash se institucionet e Kosovës, përmes kësaj rezolute, “obligohen që të respektojnë vullnetin politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, të shprehur me Referendum të vitit 1992 si dhe me Luftën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”.
Ai shkroi në rrjetet sociale se “kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sipas vullnetit të tyre të lirë për vetëpërcaktim, janë legjitime dhe në pajtim me të drejtën ndërkombëtare”.
Por, idetë si kjo dhe ato që u hodhën që në verën e kaluar për prekjen e kufijve si rrugë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nxitën kundërshtime të shumta, si të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe partive opozitare që thonë se çështja e kufijve të Kosovës është mbyllur përfundimisht vitin kur ajo shpalli pavarësinë e saj.
Albin Kurti tha sot se këto ide nuk e kanë ndihmuar aspak pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Diskriminimi, nënpërfaqësimi dhe shtypja e shqiptarëve atje është i pashembullt. Ndërsa premtimi që ata do të na bashkohen neve me konferenca shtypi që organizon presidenti vetëm sa i ka demobilizuar dhe pasivizuar ata”, tha zoti Kurti.
Një raport i publikuar së fundmi nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane vë në pah se 32 për qind e qytetarëve të Kosovës e mbështesin korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës e Serbisë në këmbim të njohjes ndërkombëtare dhe anëtarësimit në Kombet e Bashkuara.
Facebook Forum