Lidhje

Kosovë: Gjuha politike dhe planet për qeverinë e re


Lidhja Demokratike e Kosovës, përmbylli të enjten marrëveshjen e koalicionit me Nismën Socialdemokrate, ndërsa po debaton me komunitetet pakicë për përfundimin e marrëveshjeve.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha pas nënshkrimit të marrëveshjes se partia e tij do të ketë një zëvendëskryeministër dhe dy ministri.

“Nisma Socialdemokrate më e interesuar ka qenë se si të vijmë deri te një mundësi për të kaluar krizën. Ne do t’i kemi sipas fuqisë politike dy ministri dhe një zëvendëskryeministër dhe në këtë rast kjo vjen në plan të dytë, sepse në plan të parë është përkushtimi dhe orientimi që ka qeveria e Kosovës, besoj për të gjithë tani janë me rëndësi prioritetet që do t’i ketë qeveria e Kosovës, ka një pajtim unanim në ato prioritete”, tha zoti Limaj.

Një ditë më parë Lidhja Demokratike nënshkroi marrëveshjen me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Listën serbe bë kuadër të përpjekjeve për formimin e një qeverie të re pasi rrëzoi me një mocion votëbesimi më 25 mars koalicionin e saj me lëvizjen Vetëvendosje e cila kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të reja pas pandemisë dhe i vlerëson jokushtetuese planet për koalicionin e ri.

Kjo lëvizje ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese por edhe Komisionit të Venecias për të kundërshtuar planet për qeverinë e re.


Kryetari i Lidhjes Demokratike, mori të mërkurën një letër të dytë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me kërkesën për të propozuar mandatarin e ri për qeverinë dhe është zotuar ta bëjë këtë sa më parë.

Pjesë e koalicionit pritet të jetë edhe Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit, emri i të cilit u bë pjesë qendrore e debateve të ashpra ndërmjet presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe qeverisë në detyrë të Albin Kurtit.

Zoti Pacolli, të martën u përfshi në polemika me qeverinë e Kosovës por edhe përfaqësues ndërkombëtarë rreth kthimit të tij nga Zvicra ku ndodhej që nga shfaqja e rasteve të para me koronavirus në Kosovë.

Ai e kritikoi qeverinë e Kosovës se po e pengon të kthehet në Prishtinë dhe kësisoj po “pengon veprimtarinë e parlamentit me çdo mjet”.

Ministria e Shëndetësisë, kërkoi që zoti Pacolli të futet në karantinë 14 ditëshe sikurse të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës që kthehen në shtëpi gjatë pandemisë.

Pas kësaj zoti Pacolli fluturoi nga Zvicra për në Tiranë.

Të mërkurën, ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, ngriti dyshime nëse presidenti i Kosovës Hashim Thaçi gjatë një udhëtimi në Shqipëri të martën mbrëma ka takuar deputetin Behgjet Pacolli dhe nëse kishte ndihmuar që ai të hyjë në Kosovë.

“Më lejoni të sqaroj që deri tani ne nuk kemi konfirmim se z. Thaçi ka qenë i shoqëruar nga z.Pacolli, megjithatë një skenar i tillë, nëse provohet të jetë i vërtetë, do minonte komplet Republikën e Kosovës dhe do paraqiste mosrespektim të plotë të organeve të rendit”, tha zoti Sveçla në një konferencë me gazetarë, duke theksuar që “nëse me të vërtetë deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës z. Behgjet Pacolli ka qenë në veturën e Presidentit të Kosovës, me sjelljen e treguar ka shkelur me vetëdije të plotë obligimin për karantinim ose vetë-izolim për të cilin ishte informuar edhe para nisjes për Kosovë. Ne i kërkojmë Presidentit të vendit që të përgjigjet se pse ka vendosur të bëjë tejkalimin e protokollit shtetëror, ndërkaq z.Behgjet Pacollit i kërkojmë që të shprehet tani, menjëherë ku është, përndryshe nëse ai shfaqet në publik në një moment të caktuar, Policia do të ndërmerr masa të parapara me legjislacionin në fuqi”.

Mbrëmjen e së mërkurës, presidenti Thaçi tha në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTV Dukagjinin se, "prej çlirimit të Kosovës dhe deri dje, kam dalur dhe hyrë në relacionin Kosovë-Shqipëri në procedurat e njëjta ndërsa për interesimin e Sveçlës dhe Kurtit, si ndërmarrje kriminale që është shndërruar dhe që ju intereson lokacioni im, unë jam në shtëpi", tha presidenti Thaçi.

“U bëj thirrje atyre të mos krijojnë konfuzion, shpifje dhe marrëzira dhe të mos kërcënojnë njerëz të politikës e as deputetë, e në këtë rast as zotin Pacolli”, tha ai.

Më pas kryeministri në detyrë, Albin Kurti shkroi në facebook se “presidenti i Kosovës, Thaçi, duhet të pushojë me këto kalime kufiri pa protokoll e në kundërshtim me masat e marra ndaj pandemisë COVID-19. Ai është shembull i keq që qytetarët nuk bën ta ndjekin. Sa për sharjet e fyerjet që m'i bën, duke thirrur me zërin që i dridhet porsi kalama nëpër studiot televizive, e kam zgjidhjen: le ta organizojmë një debat televiziv ku dalim ne të dy, pra, unë Kryeministri në detyrë dhe ai Presidenti jashtë detyrës. Nëse don, le ta marrë me vete edhe Behgjet Pacollin. Në atë rast, po, edhe unë po e marr Xhelal Sveçlën e Rashit Qalajn”, shkroi ai.

Pikëpyetjeve se ku ndodhet në të vërtetë, zoti Pacolli iu pèrgjigj me një postim në rrjetet sociale në të cilin tha se është në Shqipëri duke punuar në projektin për rindërtimin e Thumanës, që ishte dëmtuar rëndë nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar.

“Ç’është ky Xhelali, sinonim i xhandarit personal të kryeministrit në letërsinë komuniste, që shkel ligj dhe kushtetutë e që më kërcënoka mua, ndërsa jam duke përkryer projektin e rindërtimit të Thumanës nga tërmeti, në banesën time? Ç’janë këta policë të mendimit, këta luogotenentë marksistë që kërcënojnë dhe kryeministrin e Shqipërisë se më strehoka mua? Mua që me votën time mund të votuam qeverinë e pasardhësit të zotëri Kurtit? Kam dhimbje të madhe se stili juaj i të bërit politikë, po dehumanizon brezin e ri të Kosovës, po e merr peng atë, rininë, ëndrrat e saj”, shkroi zoti Pacolli në një postim më të gjatë në facebook.

Në debat u përfshinë edhe përfaqësues të tjerë politik. Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, tha të enjten se “më ka habitur qëndrimi dhe pozicionimi i ushtruesit të detyrës të ministrit të Brendshëm në detyrë sepse ashtu nuk mund të shprehet askush për një deputet. Për asnjë qytetar të Republikës së Kosovës. Nuk janë ministrat ata që vendosin se kush do të arrestohet në këtë vend por janë organet tjera. Më së paku mund të shprehet dikush në mënyrë të tillë për një përfaqësues të qytetarëve të Kosovës”, tha zoti Mustafa.

Kryetari i Aleancës për Ardhmëirnë e Kosovës, Ramush Haradinaj shkroi ndërkaq se “gjithmonë kam qenë kundër trajtimit të padinjitetshëm të kujtdoqoftë, duke mos përjashtuar këtu edhe trajtimin, potencialisht të keq të aktivistëve të VV-së dikur. Pa ndryshu asnjë shkronjë, sot e kundërshtoj fuqishëm trajtimin e padinjitetshëm të një të zgjedhuri të popullit, siç është deputeti Behgjet Pacolli. Sipas Kushtetutës, mandati i deputetit është i pacenueshëm dhe i pandikueshëm nga agjendat politike!”, shkroi ai.

Kosova që po përballet me pandeminë e koronavirusit, u gjet edhe në krizë politike pas rrëzimit të qeverisë së kryeministrit Albin Kurti më 25 mars.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG