Lidhje

Hyseni: SHBA-të fuqimisht të angazhuara në bisedimet Kosovë – Serbi


Kosovo, Skender Hyseni
Kosovo, Skender Hyseni

Bashkërenduesi shtetëror i Kosovës për bisedimet me Serbinë, Skender Hyseni, i tha Zërit të Amerikës nga Brukseli të premten se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të përfshira në këtë proces. Zoti Hyseni tha se do të udhëtojë nga Brukseli për në Washington ku do të ketë takime me zyrtarë të lartë të administratës amerikane për të diskutuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Hyseni: SHBA fuqimisht të angazhuara në bisedimet Kosovë – Serbi
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:32 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Hyseni, ju të enjten zhvilluat një takim në Bruksel me përfaqësuesit e Serbisë. Çfarë u diskutua në këtë takim?

Skender Hyseni: Unë vlerësoj që takimi ka shkuar mirë, në rrafshin e objektivave që ne i kemi parashtruar vetes e që është objektiv kyç dhe kryesor përfundimi i këtij procesi me njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë. Pra, nuk jemi duke trajtuar tema të veçanta, si po thuhet, apo nuk jemi duke negociuar arritje të marrëveshjeve për tema të veçanta, por jemi duke trajtuar elemente të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ,e cila në fund patjetër duhet të rezultojë në njohjen reciproke, formale, zyrtare të Kosovës dhe Serbisë. Këto dy vende krejt në fund të këtij procesi do të duhet ta njohin njëra tjetrën zyrtarisht si shtete sovrane dhe të pavarura. Prandaj le të hiqet çfarëdo keqinterpretimi që ne këtu po përpiqemi të arrijmë marrëveshje për tema të veçanta, nuk bëhet fjalë për këtë. E gjithë kjo ndërmarrje e madhe që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, me përkrahjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka një qëllim: arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme dhe ndërkombëtarisht të obligueshme, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare për njohje. Në këtë frymë unë i shoh raundet e bisedimeve vetëm si episode të një përfundimi të përgjithshëm dhe nëse i shohim kështu unë konsideroj që përderisa bisedohet gjasat për të arritur një marrëveshje janë të mëdha dhe përkundër faktit që unë jam koshient dhe tërësisht i vetëdijshëm që nuk do të jetë punë e lehtë, nuk do të jenë negociata të lehta edhe nuk janë, janë shumë të vështira, prapë, kam besim që nëse do të ketë vullnet të mjaftueshëm nga Bashkimi Evropian dhe unë po e shoh që ka vullnet, nëse do të ketë vullnet të mjaftueshëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe unë jam i sigurt që ka vullnet të madh në Washington që ky proces të përfundoj me njohje reciproke midis këtyre vendeve dhe përfundimisht ky akt i njohjes përfundimtare do të instalonte një paqe më të qëndrueshme, një stabilitet më afatgjatë në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Që nga takimi i 16 korrikut ndërmjet kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, në Kosovë janë hapur diskutime nëse bisedimet rrezikojnë të rrëshqasin në nivel teknik. A ekziston një rrezik i tillë zoti Hyseni?

Skender Hyseni: Kur uleni në tavolinë dhe keni një palë përballë natyrisht që gjithnjë duhet pritur që pala tjetër mund të ngrisë çështje të ndryshme, por kjo assesi nuk e rrezikon procesin e dialogut dhe assesi nuk do ta bëjë palën e Kosovës që të pajtohet me asgjë që shkon kundër interesave të vendit dhe kundër qëllimit kryesor themelor që është njohja reciproke. Nuk bëhet fjalë për çështje teknike, nuk bëhet fjalë për bisedime teknike, këto raunde bisedimesh janë skajshëm politike dhe ekskluzivisht politike dhe që synojnë ta përmbyllin krejt këtë ndërmarrje me njohje reciproke dhe me vendosjen e një paqeje dhe stabiliteti afatgjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Emërimi juaj ka ngjallur debate te partneret e koalicionit me arsyetimin se nuk janë informuar me kohë. Ju si u përgjigjeni kritikave dhe shqetësimeve të tyre?

Skender Hyseni: Unë nuk i kam parë që janë kritika, dhe nuk do të lëshohem në komente. Unë kam komunikim të përhershëm me të gjithë partnerët e koalicionit dhe jo vetëm me ata por edhe me partitë opozitare, i kam kontaktuar të gjithë pa përjashtim duke përfshirë edhe Vetëvendosjen dhe kam kërkuar një unifikim sa më të gjerë të spektrit politik rreth qëllimit përfundimtar që është qëllim i përbashkët. Kështu që nuk e kam ndërmend të humb energji ose të fokusohem në asgjë që mund të jetë natyrë e komenteve të ndryshme. Unë atë që mund ta them me saktësi është që ka një unifikim qoftë edhe i heshtur rreth përpjekjeve që po bëhen në këtë dialog të rinisur në Bruksel e që e ka përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zëri i Amerikës: Pikërisht një nga shqetësimet e ngritura nga partnerët e koalicionit dhe analistët në vend është edhe siç thuhet, mungesa e Shteteve të Bashkuara në proces pa të cilat thonë ata vështirë që mund të ketë një marrëveshje të qëndrueshme. Cili është në fakt roli i Shteteve të Bashkuara në procesin ku jeni përfshirë?

Skender Hyseni: Roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është esencial dhe i pazëvendësueshëm dhe mbase po e bëj të ditur për herë të parë që unë nesër nga Brukseli do të udhëtoj në Washington ku do të zhvillojë një varg takimesh me zyrtarë shumë të lartë, edhe të State Departmentit edhe të Shtëpisë së Bardhë. Gjithnjë në përpjekje dhe me qëllim të koordinimit dhe bashkërendimit të veprimeve që do ta ndihmojnë akoma më shumë dialogun. Me lejoni ta përmbyll me një konstatim që është absolutisht i saktë: Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të angazhuara dhe të involvuara në këtë proces. Le të hiqet çdo dilemë, kudo qoftë dhe ngado që vije, që Shtetet e Bashkuara nuk kanë hise në këtë punë dhe nuk janë të angazhuara. Përkundrazi Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë fuqimisht të angazhuara dhe këtu mund të citoj zyrtarët amerikanë që ma kanë thënë personalisht që Amerika do të jetë me ju në çdo fazë të procesit deri në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG