Parlamenti i Kosovës me 61 vota miratoi përbërjen e qeverisë së re të koalicionit të Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate dhe partive të pakicave.
Kabineti i kryeministrit të ri të Kosovës
Qeveria e re e Kosovës do të ketë katër zëvendëskryeministra dhe 16 ministri.
Përbërjen e plotë të qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti mund ta gjeni këtu.
Qeveria e re që do të ketë katër zëvendëskryeministra dhe 16 ministri, përbëhet nga koalicioni i Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate dhe partive të pakicave.
Seanca u bojkotua nga lëvizja Vetëvendosje e cila kërkon zgjedhje të reja, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës, votoi kundër qeverisë së re.
Kabineti i ri mori minumunim e votave dhe kjo u bë e mundur pas negociatave të orëve të fundit. Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, i cili kishte paralajmëruar votën kundër tha se ndërroi mendje pas bisedave me presidentin Hashim Thaçi dhe ish kryeministrin Ramush Haradinaj.
Vota e tij ishte vendimtare, meqë Lidhjes Demokratike i mungonin tri sosh përfshirë edhe atë të kryetares së parlamentit, Vjosa Osmani e cila nuk pranoi të drejtojë seancën e sotme, dy vota mungonin nga partitë e pakicave jo serbe, ndërsa pati edhe një abstenim.
Kryeministri i ri Kosovës, Avdullah Hoti, duke paraqitur programin e tij tha se përparësi e qeverisë së tij do të jetë përballja me pandeminë COVID-19, rimëkëmbja ekonomike e vendit dhe ripërtëritja e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët tjerë perëndimor. Ai tha se qeveria e re vlerëson rolin e përbashkët dhe të pandashëm të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara në arritjen e marrëveshjes me Serbinë dhe në garantimin e zbatimit të saj.
“Marrëveshja gjithëpërfshirëse në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë do të bazohet në njohjen reciproke në mes të këtyre dy shteteve, në këtë mënyrë do të sigurohet stabilizimi afatgjatë i Kosovës, do të mundësohet anëtarësimi në OKB dhe do të garantohen proceset integruese në aleancën Veri-Atlantike dhe në BE. Ky dialog kërkon një bashkërenditje të plotë në mes të institucioneve të vendit si dhe një unitet sa më të gjerë të mundshëm politik në vend ku roli i opozitës parlamentare është i pashmangshëm. Në dialog duhet të jemi të gjithë së bashku sepse përfundimi i suksesshëm është në interes të gjithë skenës politike dhe qytetarëve të Kosovës”, tha ai.
Kryeministri Hoti tha se me një qasje pajtuese qeveria e re do të rindërtojë konsensusin e brendshëm politik për sfidat që e presin vendin. Ai tha se nuk do të lejojë askënd të godasë rendin kushtetues dhe themelet e shtetit.
“Marrja e përgjegjësisë për udhëheqjen e qeverisë sot kur raportet tona strategjike me miqtë ndërkombëtarë janë lënduar nga një politike populliste është tejet sfiduese dhe kërkon përkushtim të madh. Fushata e paprecedentë kundër administratës amerikane me fyerje dhe linçime ndaj figurave kryesore të saj si dhe përkrahja për të nxitur perceptim antiamerikan në vend është dëmi më i madh që i ka ndodhë Kosovën në planin ndërkombëtar në këto 30 vite përpjekje për liri, pavarësi dhe demokraci. Kjo qasje duhet të marr fund përgjithmonë”, tha ai.
Lëvizja Vetëvendosje bojkoti seancën, ndërsa shefi i grupit parlamentar të saj, Rexhep Selimi, tha se kjo qeveri është ilegale dhe jolegjitime.
“Ju qëllimet i keni të cekta por të rrezikshme, të thjeshta por të këqija. Ju doni të përfitoni nga një situatë e rëndë për Kosovën, që të grabisni pushtet pa fitore e pa zgjedhje ashtu siç fituat nga pandemia për ta çuar qeverinë në mocion mosbesimi. E keni perfeksionuar tani më zanatin e përfitimit nga situatat. A nuk jeni ju disa që kurrë nuk keni fituar zgjedhje por gjithmonë keni përfituar prej fitoreve të tjerëve?”, tha ai.
Kurti: Qeveria Hoti – qeveri koti
Kryeministri i deritashëm në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi të paligjshme qeverinë e miratuar të mërkurën në parlamentin e Kosovës. Në një video mesazh të shpërndarë në rrjetin facebook, ai tha se nga nesër nuk do të jetë në zyrën e kryeministrit.
“Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm. Me atë vendim ata kanë bërë agresion mbi kushtetutën e Republikës dhe kanë zhvlerësuar vetën e tyre si Gjykatë. Kjo qeveri është e paligjshme. Kjo është qeveria koti. Ne jemi qeveria alternative. Nesër, nuk do ta bëj pranim-dorëzimin sepse nuk mund ta pranoj atë që e shkarkova ndërkohë që edhe u dorëzua te presidenti. Ne vazhdojmë betejën. Do të kthehemi përsëri e shumë shpejt”, tha mes tjerash ai.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, subjekti i të cilit votoi kundër formimit të qeverisë, kritikoi koalicionin e deritashëm për siç tha rrezikim të vendit dhe qytetarëve.
“Ideja e përfitimit me çdo kusht, çdo herë sjellë humbjen pa kusht, kjo edhe po i ndodhë sot Albin Kurtit. Kjo do t’i ndodhë edhe Avdullah Hotit i cili është kopje jo origjinale e këtij mashtrimi. Do ta bëj situatën edhe më të rëndë në këtë vend. Lidhja Demokratike e Kosovës kur nuk ka qenë në pushtet gjithmonë ka ndihmuar rrënimin, ndërsa kur është në pushtet, kurrë nuk merr përgjegjësitë që i takojnë. Pastaj këto koalicione qoftë ky aktual qoftë ai paraprak kur dëgjon fyerjet mes tyre dha bashkimet më pas nuk mund të pyesësh, a ka mbet pak nder e moral te këta njerëz?”, tha zoti Veseli.
Shtetet e Bashkuara mirëpritën formimin e qeverisë së re
I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, tha në një deklaratë të shkurtër se e mirëpret qeverinë e re të Kosovës.
“Mezi pres të punoj më të dhe të rifillojmë bisedimet me Serbinë”, thuhet në deklaratën e zotit Grenell.
Ambasada amerikane në Prishtinë përgëzoi siç tha "formimin në mënyrë paqësore të qeverisë së re të Kosovës".
“Presim me padurim të punojmë me qeverinë Hoti, për të vazhduar punët e rëndësishme për paqen, drejtësinë dhe përparimin, përfshirë përpjekjet për fuqizimin e marrëdhënieve rajonale në luftimin e pandemisë së COVID-19”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane në Prishtinë.
Bashkimi Evropian pret rifillim të shpejtë bisedimesh Kosovë – Serbi
Bashkimi Evropian përgëzoi Kosovën për formimin e qeverisë së re duke theksuar mbështetjen e saj për përparimin e saj në rrugën evropiane.
Në një komunikatë të përbashkët, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe komisionarit të Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, thanë se “një rifillim i shpejtë i dialogut Beograd-Prishtinë i lehtësuar nga BE-ja, me mbështetjen e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, është thelbësor për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është mënyra e vetme për ta kthyer të ardhmen evropiane të Kosovës në një realitet për qytetarët e saj”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Të dy zyrtarët thanë se BE-ja do të vazhdojë të mbështes Kosovën dhe qytetarët e saj. “Ne gjithashtu duam ta shohim Kosovën përpara në rrugën e saj evropiane. Kjo do të kërkojë përpjekje për reforma si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, veçanërisht luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Rifillimi i bisedimeve me Serbinë, të pezulluara që nga nëntori i vitit 2018, për shkak të tarifave të vendosura nga Kosova ndaj mallrave serbe, pritet të jetë një nga sfidat kryesore të qeverisë së re të Kosovës.
Mospajtimet rreth qasjes ndaj këtyre bisedimeve, tarifave ndaj mallrave serbe dhe masave të reciprocitetit çuan edhe në përçarjen e koalicionit të deritashëm qeverisës ndërmjet lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila më 25 mars hodhi një mocion mosbesimit me të cilin u rrëzua qeveria e zotit Kurti, duke e lënë vendin me qeveri në detyrë në mes të pandemisë së koronavirusit.
Lëvizja Vetëvendosje është e bindur se qeveria e re do të përfshihet në një proces negociatash për një marrëveshje me Serbinë që mund të çojë në ndarjen e Kosovës përmes ideve për shkëmbim territoresh, një mundësi që është hedhur poshtë disa herë nga diplomatët amerikanë por edhe ata evropianë.
Kryeministri i ri, Avdullah Hoti, u dekretua si mandatar më 30 prill nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Dekreti i tij u sfidua nga lëvizja Vetëvendosje e cila kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së tij nga Gjykata Kushtetuese. Të enjten më 28 maj, Gjykata i dha të drejtë dekretit të presidentit duke nxitur reagimin e lëvizjes Vetëvendosje e cila e cilësoi të padrejtë dhe të papranueshëm. Kjo lëvizje kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të reja dhe e quan të papranueshme formimin e një qeverie të re pa fituesin e zgjedhje të 6 tetorit të vitit të kaluar. Lëvizja Vetëvendosje tashmë është duke mbledhur nënshkrimet për një peticion me të cilin kërkon zgjedhje të reja.
Derisa në parlamentin e Kosovës po votohej për qeverinë e re, dhjetëra qytetarë u mblodhën jashtë ndërtesës së këtij institucioni për të kundërshtuar një veprim të tillë.
Protestuesit brohoritën në mbështetje të lëvizjes Vetëvendosje e cila kërkon zgjedhje të reja dhe e cilëson të paligjshme qeverinë Hoti, e cila u formua pasi që Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e ri.
Kjo lëvizje tha se nuk qëndron prapa protestës së sotme por nuk ka përjashtuar protestat e as veprime të tjera për të kundërshtuar formimin e qeverisë së re.
Formimi i qeverisë u cilësua si një ditë e rëndësishme për demokracinë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në një postim në rrjetet sociale tha se me bashkëpunim ndërinstitucional mund të rimëkëmbet ekonomia të ecet me hapa më të shpejtë drejt integrimit euroatlantik dhe të fuqizohet partneriteti me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tjerë perëndimor.
Në një konferencë me gazetarë në orët e pasdites, presidenti Thaçi i bëri thirrje kryeministrit të deritashëm Albin Kurti për “pranim-dorëzim sa më të lehtë të detyrës te Qeveria Hoti. Kërkohet të heqë dorë nga barrikadimi në zyrën e uzurpuar. Barrikadimi i tij nuk i bën nder as atij, as partisë së tij, as shtetit të Kosovës e as demokracisë. Pas shkarkimit ai po bëhet edhe më qesharak. Kërkoj të punojmë të gjithë bashkë për të ardhmen evropiane, partneritetin me SHBA-në, për zhvillim ekonomik, rritje të mirëqenies sociale e një të mirë të gjithëmbarshme në vend”, tha ai.
Facebook Forum