Autoritetet në Kosovë thanë se në 24 orët e fundit pesë persona humbën jetën si pasojë e COVID 19-ës, ndërkaq u regjistruan edhe 237 raste të reja të të prekurve nga kjo sëmundje,
Rastet e reja e çuan në 169 numrin e përgjithshëm të atyre që kanë humbur jetën nga pasojat e virusit, ndërsa në 6 mijë e 917 numrin e të infektuarve.
Numri më i madh i rasteve u regjistrua sërish në Prishtinë, pasuar nga Gjakova dhe Mitrovica.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 139 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është 3 mijë e 753 raste.
Kosova po vazhdon të përballet me periudhën më të vështirë shëndetësore që nga shfaqja e pandemisë në muajin mars. Lehtësimi i masave parandaluese që filloi në qershor solli edhe valë të re infektimesh duke detyruar qeverinë që të vendos sërish masa të reja në mes të muajit korrik për të frenuar përhapjen e tij.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, paralajmëroi vendosjen e masave të reja gjatë ditëve të ardhshme pas pas mbledhjes së Komitetit për bashkërendimin dhe vlerësimin e situatës me koronavirusin.
“Unë nuk do të hezitoj asnjëherë që në përputhje me rekomandimet e ekspertëve shëndetësor të marrë masat më ekstreme që është e nevojshme”, tha kryeministri Hoti.
Ai paralajmëroi dyfishimin e numrit të testimeve të personave të dyshuar si të prekur me koronavirus, derisa bëri thirrje për mbajtje të maskës, distancës dhe higjienës personale si masa thelbësore për të parandaluar përhapjen e virusit.
“Kjo është jetike për të menaxhuar situatën, ndërkohë që ne po bëjmë të pamundurën brenda shërbimit spitalor për të krijuar kapacitete shtesë. Për të parandaluar situatën kur nuk kemi ku t’i shtrijmë njerëzit që kërkojnë të shtrihen në spital. Ndërkohë që po flasim janë rreth 570 qytetarë të shtrirë në qendrat klinike dhe nëpër spitale regjionale, ndërkohë që ne kemi rreth 700 shtretër në dispozicion, nuk kemi më shumë”, tha kryeministri Hoti.
Facebook Forum