Lidhje

Kosovë: Covid-19; Shkon në 35 numri i të prekurve


Të hënën pasdite në Kosovë u konfirmuan edhe dy raste të reja të të prekurve me koronavirus, duke e çuar në 35 numrin e të infektuarve.

Kosovë, shkon në 35 numri i të prekurve nga COVID-19
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:17 0:00

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se njëri nga të prekurit është një burrë 44 vjeçar nga fshati Petrovë i komunës së Shtimjes dhe një grua 39 vjeçare nga Prishtina.

Të dielën u shënua viktima e parë e këtij virusi, një 82 vjeçar nga fshati Dumnicë i komunës së Podujevës, i cili sipas Klinikës Infektive në Prishtinë, vuante edhe nga sëmundje të tjera kronike.

Autoritetet paralajmëruan se dy tre javët në vazhdim pritet të jenë vendimtare për luftën kundër koronavirusit, ndërsa po u bëjnë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e vendosura në përpjekje për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli pandeminë autoritetet pezulluan procesin mësimor në të gjitha nivelet e arsimit.

Nga sot ka filluar transmetimi i mësimeve në distancë për të gjithë nxënësit në dy kanale të televizionit shtetëror dhe në dy platforma në internet.

Fredi Ejupi është nxënës i shkollës fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë. Në ditën e parë të mësimnxënies ai duket i kënaqur, pas shumë ditësh izolimi.

“Unë mendoj se kjo është një mënyrë shumë e mirë që mësuesit dhe nxënësit të bashkëveprojnë me njëri tjetrin, nga ekrani i televizorit apo i kompjuterit ku po e shikon nxënësi. Mësimi online është një përvojë e re për Kosovën, vendin tonë dhe mendoj se është një gjë e mirë që e kemi bërë sepse në kohëra tjera kur mund të ketë arsye për mbyllje të shkollave ne mund ta përdorim mësimin online dhe nxënësit do të jenë të aftë të mësojnë nga ekrani”.

Për Fredin, gjendja e re kur lëvizjet janë shumë të kufizuara ka edhe një anë të mirë.

“Kam pasur më shumë kohë të rri me familjen time, të lexoj libra, ndoshta edhe të luaj ndonjë lojë që më pëlqen. Ideja e izolimit brenda mua më ka pëlqyer sepse kështu nuk e shpërndajmë koronavirusin. Unë do të ju them se ne duhet t’i respektojmë të gjitha rregullat dhe masat mbrojtëse që na kanë ardhur nga ministria e Shëndetësisë”.

Janë gjithsej 50 mësimdhënës nga shkolla të ndryshme të cilët po vazhdojnë në orare të ndara regjistrimin e orëve mësimore në një nga shkollat e Prishtinës.

Zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaci, tha se kjo formë e mësimdhënies do të vazhdojë deri në përmirësimin e situatës, e mbase kësisoj do të përmbyllet i tërë viti shkollor.

“Nën supozimin që nuk do të detyrohemi ta ndërpresim edhe këtë aktivitet për shkak të masave mbrojtëse ndaj koronavirusit. Varësisht prej stabilizimit të situatës, atëherë do të ulemi bashkë me drejtoritë komunale të arsimit, shkollat e mësimdhënësit ta marrim një vendim si do të procedojmë më tutje, sepse ende nuk e dimë se për sa gjatë do të jenë fëmijët jashtë shkollave”, tha zoti Thaçi.

Profesori i psikologjisë, Fitim Uka, tha në një bisedë telefonike me Zërin e Amerikës se izolimi social ushtron ndikim negativ në shëndetin mendor të familjes në përgjithësi dhe posaçërisht të fëmijëve. Në rast se pandemia zgjatet, fëmijët mund të zhvillojnë simptome stresi, ankthi, paniku apo depresioni thotë ai.

“Përndryshe e kam mirëpritur lajmin për fillimin e mësimit virtual në Kosovë. Besoj që kjo është një formë e mirë e intervenimit që e ruan gjithashtu edhe higjienën mendore të fëmijëve tanë megjithatë vlerësoj se duhet të shohim për metoda të tjera alternative dhe ta pasurojmë këtë formë të mësimdhënies e cila në pikëvështrimin tim është pasive”, tha ai.

Zoti Uka inkurajon prindërit që të zhvillojnë me fëmijët e tyre veprimtari të ndryshme sociale gjatë kohës së izolimit sepse fëmijët nuk mund të përballojnë mungesën e socializmit dhe monotoninë që e përcjell këtë stil të ri jete.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG