Lidhje

KFOR pengon bllokimin e një rruge në veri


Përpjekjet për bllokimin e rrugës pasuan operacionin e KFOR-it për mbylljen e një vendkalimi të paligjshëm Kosovë-Serbi

Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë thanë se gjatë natës që lamë pas kanë pamundësuar përpjekjet e një grupi serbësh në veri që të bllokojnë një nga rrugët kryesore të zonës.

Paqëruajtësit ndërhynë për të hequr pengesat e vendosura në afërsi të fshatit Rudarë të komunës së Zvecanit, në rrugën që çon nga Mitrovica për në njërin nga vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri.

Ndërhyrja e KFOR-it ka kaluar pa incidente, me gjithë praninë e qytetarëve serbë që po ndiqnin operacionet e forcave të NATO-s.

Përpjekjet për mbylljen e rrugës pasuan operacionin së shtunës, kur KFOR-i mbylli një nga vendkalimet e paligjshme në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri. KFOR-i tha se operacioni ishte në funksion të një mjedisi të qetë dhe të sigurt dhe për të parandaluar lëvizjet e paautorizuara përgjatë vijës kufitare.

Operacioni KFOR-it, nxiti protestat e serbëve lokal të cilët u mblodhën në afërsi të vendkalimit kufitar për të kundërshtuar mbylljen e rrugëve dytësore. Mjetet serbe të informimit thanë se dy pjesëtarë të komunitetit serb janë plagosur lehtë gjatë protestës.



Por KFOR-i sot mohoi në tërësi raportimet që flasin për plagosjen e civilëve, kur trupat e KFOR-it kanë shtënë në ajër me plumba gome, në mënyrë që të mos i lënë protestuesit të hipin mbi automjetet e KFOR-it.

Operacioni nxiti reagimin e qeverisë së Serbisë, e cila fajësoi KFOR-in për shtim tensionesh në veri.

KFOR-i u ka bërë thirrje me këtë rast të gjitha palëve që të shmangin veprimet e njëanshme, deklaratat nxitëse ose veprimet e dhunshme.

Serbët në veri, hapën rrugë dytësore përreth vendkalimeve kufitare pas operacionit të korrikut të vitit të kaluar të policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare me Serbinë. Nëpër rrugët dytësore lëvizin kryesisht makina me mallra që nuk lejohen në vendkalimet zyrtare.
XS
SM
MD
LG