Lidhje

KFOR mbyll një vendkalim të paligjshëm në veri


Zyrtarët e KFOR-it thanë se kanë mbyllur një rrugë dytësore në afërsi të njërit nga vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri

Forcat paqeruajtëse të NATO-s, mbyllën sot një nga vendkalimet e paligjshme në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veri, duke nxitur protestat e serbëve lokal. Zyrtarët e KFOR-it thanë se kanë përmbyllur me sukses operacionin për mbylljen fizike të një rruge dytësore në afërsi të vendkalimit zyrtar kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bernjak, të komunës së Zubin Potokut.

Në një njoftim të KFOR-it thuhet se ky operacion është në funksion të një mjedisi të qetë dhe të sigurt dhe për të parandaluar lëvizjet e paautorizuara përgjatë vijës kufitare.

Mbyllja e rrugës dytësore mundëson që trupat e KFOR-it të përqendrohen në kryerjen e detyrave thelbësore për misionin e tyre. Për më tepër, KFOR-i kundërshton frikësimin e papranueshëm të banorëve lokalë, të cilëve u është bërë trysni financiare kundër shfrytëzimit të vendkalimit të autorizuar.



Operacioni KFOR-it, nxiti protestat e serbëve lokal të cilët u mblodhën në afërsi të vendkalimit kufitar për të kundërshtuar mbylljen e rrugëve dytësore. Mjetet serbe të informimit thanë se dy pjesëtarë të komunitetit serb janë plagosur lehtë gjatë protestës.

Por, KFOR-i tha se nuk mund t’i konfirmojë raportimet që flasin për plagosjen e civilëve, kur trupat e KFOR-it kanë shtënë në ajër me plumba gome, në mënyrë që të mos i lënë protestuesit të hipin mbi automjetet e KFOR-it.

KFOR-u u ka bërë thirrje me këtë rast të gjitha palëve që të shmangin veprimet e njëanshme, deklaratat nxitëse ose veprimet e dhunshme.

Serbët në veri, hapën rrugë dytësore përreth vendkalimeve kufitare pas operacionit të korrikut të vitit të kaluar të policisë së Kosovës për të vënë nën kontroll vendkalimet kufitare me Serbinë. Nëpër rrugët dytësore lëvizin kryesisht makina me mallra që nuk lejohen në vendkalimet zyrtare.

Grupe serbësh vazhdojnë të bëjnë rojë për të penguar çdo përpjekje për shtrirjen e autoritetit të Prishtinës në zonë.

Të premten grupe në veriun e Kosovës parakaluan me makina nga Mitrovica deri në vendkalimet kufitare veriore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Prishtinës për të ndaluar përdorimin e targave të makinave të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Përfaqësuesit e serbëve lokal u dorëzuan autoriteteve të KFOR-it dhe të EULEX-it një letër proteste, me të cilën kundërshtojnë siç është thënë, “çdo përpjekje për integrimin me dhunë të serbëve të veriut nga institucionet e Prishtinës”.

Çështja e targave ishte pjesë e marrëveshjes për lëvizje të lirë, e cila qe arritur ne korrik të vitit të kaluar në bisedimet Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Kosova dhe Serbia arritën disa marrëveshje në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por zbatimi i tyre ende është i pjesshëm. Ndërmjetësuesit synojnë rifillimin e bisedimeve, të cilat qenë ndërprerë për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi.

Presidenti i ri serb, Tomislav Nikoliç, deklaroi të enjten në Bruksel se Beogradi është i gatshëm të vazhdojë këto bisedime, por hodhi idenë që delegacioni i vendit të tij të drejtohet nga kryeministri i Serbisë.

Prishtina, po ashtu mbështetë vazhdimin e bisedimeve, por vetëm pasi të jenë zbatuar marrëveshjet e deritashme.

Bisedimet e filluara në mars të vitit 2011, kishin për qëllim zgjidhjen e çështjeve teknike të interesit të përbashkët dhe shtendosjen e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të kushtëzuara nga kundërshtimi i ashpër i Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG