Lidhje

KE me rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave me Kosovën


Komisioni Evropian, dha të mërkurën rekomandim pozitiv për Kosovën sa i takon liberalizimit të vizave. Pas takimit të kolegjit të komisarëve, ky komision njoftoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet nga procesi i dialogut për liberalizim vizash.

Kosova drejt liberalizimit të vizave
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:20 0:00

Dimitris Avramopoulos, komisioneri evropian për migracion, çështje të brendshme dhe shtetësi, tha se Kosova ka shënuar përparim dhe ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim vizash.

“Pas përpjekjeve të jashtëzakonshme Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret që lidhen me liberalizimin e vizave dhe tani kjo gjë dihet dhe pranohet gjerësisht. Përveç kësaj Kosova ka vazhduar të plotësojë të gjitha kushtet që ne veçse i kemi cilësuar si të plotësuara në maj të vitit 2016. Tani është në duart e parlamentit evropian dhe këshillit evropian që të ecin më tutje dhe të adoptojnë propozimin e komisionit nga maji 2016 dhe i inkurajoj ta bëjnë një gjë të tillë sa më parë”, tha ai.

Gjatë konferencës së përbashkët me komisionerin Avramopoulos, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ky rekomandim përbën një moment historik dhe paraqet njohje të përpjekjeve shumë vjeçare të Kosovës.

“Sot ka filluar shembja e murit të fundit të izolimit të një shoqërie të tërë evropiane, sot është fituese Kosova, sot është fitues Bashkimi Evropian. Lajmi i sotëm e përmbyll një cikël shumë të vështirë dhe rigoroz të përmbushjes së kërkesave të komisionit evropian. Siç kemi deklaruar edhe më herët Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe sot me plot kuptimin e fjalës kemi pajtim të plotë me partnerët tonë në komisionin evropian”, tha presidenti Thaçi.

Edhe udhëheqësit institucional dhe të partive politike në Kosovë e kanë mirëpritur rekomandimin e komisionit evropian për liberalizim të vizave për Kosovën. Por, njohës të zhvillimeve politike në Kosovë thonë se rekomandimi pozitiv për vizat nuk shënon fundin e këtij procesi. Në një bisedë për Zërin e Amerikës, Artan Murati nga Instituti i Kosovës për Demokraci, tha se Kosova tash hyn në një fazë tjetër ku duhet të tregohet shumë e kujdesshme në raport me Bashkimin Evropian.

“Pikë së pari është komisioni parlamentar për të drejtat civile në kuadër të parlamentit evropian, i cili mandatohet dhe e merr për ta shqyrtuar raportin dhe mandaton parlamentin evropian për të iniciuar më tutje këtë çështje. Pastaj edhe këshilli i ministrave së bashku me komisionin evropian dhe parlamentin evropian dakordohen për tekstin i cili do të hidhet në votim edhe në parlament edhe në këshill e të cilit i duhet shumica e kualifikuar për tu zyrtarizuar dhe për tu marrë vendimi për heqjen e vizave. Nëse i marrim parasysh procedurat standarde të vendimmarrjes ky proces mund të zgjasë deri në nëntë muaj”, thotë ai.

Zoti Murati tha se kjo procedurë mund edhe të përshpejtohet nëse përfaqësuesit e Kosovën do të jenë vigjilent dhe të lobojnë në mënyrën e duhur.

Qytetarët e Kosovës aktualisht janë të vetmit në rajonin e Ballkanit perëndimor që duhet të kërkojnë viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa Kosova mbetet po ashtu e fundit në proceset integruese. Në të gjitha proceset Kosova përballet edhe me sfidën që paraqet fakti që edhe më tej pesë nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG