Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry fillon sot një turne në pesë vende të Lindjes së Mesme dhe Azisë Juglindore në një përpjekje për të forcuar lidhjet ekonomike, të sigurisë dhe për të zbutur shqetësimet në lidhje me marrëveshjen bërthamore me Iranin. Në Azinë Juglindore, ai do të vizitojë Malajzinë, Singaporin dhe Vietnamin. Sekretari Kerry do të fillojë udhëtimin e tij me vizita në disa vende të Lindjes së Mesme.
Në një përpjekje për të forcuar angazhimin me aleatët amerikanë, Sekretari i Shtetit John Kerry do të takohet me homologët e tij të Egjiptit dhe Katarit.
Udhëtimi i tij në Kajro vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti po punojnë për përmirësimin e marrëdhënieve të tensionuara nga kundërshtimi i Shteteve të Bashkuara ndaj represionit nga Egjipti mbi mbështetësit e presidentit të rrëzuar Mohamed Morsi.
Të dy vendet do të zhvillojnë një dialog strategjik duke u fokusuar në çështjet politike, ekonomike dhe të sigurisë.
Michele Dunne, Insituti Karnegi për Paqe Ndërkombëtare:
"Sfida e vërtetë për Sekretarin Kerry në takimet e tij në Egjipt është diskutimi i gjendjes së përgjithshme në rajon, lufta rajonale kundër terrorizmit dhe situata e brendshme në Egjipt".
Në Katar, zoti Kerry do të takohet me anëtarët e Këshillit për Bashkëpunim të vendeve të Gjirit, të cilët kanë ngritur shqetësime në lidhje me marrëveshjen bërthamore të Iranit. Shqetësime të ngjashme janë ngritur këtë javë edhe nga ligjvënësit amerikanë në Kongres gjatë seancave dëgjimore në të cilat dëshmoi Sekretari Kerry.
Tom Marino, ligjvënës republikan:
"Ne kemi drejtën për të mbrojtur qytetarin amerikan nga kjo fatkeqësi, posedimi i energjisë bërthamore nga ky vend. Sanksionet kanë funksionuar".
Disa analistë thonë se vendet e Gjirit mund të përfitojnë nga marrëveshja bërthamore.
Daniel Serwer, Universiteti Johns Hopkins:
"Në qoftë se unë do të jetoja në vendet e Gjirit, do të ndjehesha shumë më mire me një marrëveshje që e parandalon Iranin të prodhojë armë bërthamore për 10 deri në 15 vjet se sa pa asnjë marrëveshje".
Analisti Serwer thotë se ai nuk është i sigurt se Sekretari Kerry do të jetë në gjendje të zbusë shqetësimet e aleatëve të Gjirit të cilët kanë frikë se marrëveshja do të jetë destabilizuese në rajonin e tyre.