Lidhje

Iftar i organizuar nga Shtëpia e Bardhë


Në iftarin e parë gjatë administratës së Presidentit Trump Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump ua uroi të ftuarve të tij dhe myslimanëve në mbarë botën muajin e Ramazanit. Në darkën e shtruar nga Presidenti Trump për nder të festës së myslimanëve mori pjesë edhe ambasadorja e Shqipërisë, Floreta Faber.

Presidenti Trump tha se pritja në Shtëpinë e Bardhë nderon "një traditë të shenjtë të një prej feve të mëdha të botës".

"Për secilin prej jush dhe myslimanët në mbarë botën: Gëzuar Muajin e Ramazanit. Përmes kësaj darke në këtë mbrëmje ne nderojmë një traditë të shenjtë të një prej feve të mëdha të botës. Për besimtarët myslimanë, iftari shënon fundin e periudhës ditore të agjërimit dhe reflektimin shpirtëror që ndodh gjatë gjithë muajit të shenjtë të Ramazanit".

Në darkën e shtruar në Shtëpinë e Bardhë morën pjesë disa anëtarë të Kabinetit të Presidentit Trump dhe ambdasadorë të vendeve me shumicë myslimane, përfshirë ambasadoren e Shqipërisë në Uashington, Floreta Faber.

Presidenti Trump vitin e kaluar nuk shtroi darkë për nder të muajit të Ramazanit, duke thyer traditën e krijuar nga disa presidentë të kaluar amerikanë.

Protestuesit u mblodhën para Shtëpis[ e Bardhë, gjatë darkës së iftarit, për të shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me atë që disa thonë se është keqtrajtim i myslimanëve nga Presidenti Trump.

"Ne jemi këtu për të protestuar ndaj iftarit të Shtëpisë së Bardhë, që u njoftua më herët gjatë fundjavës. Ne mendojmë se ky është kulmi i hipokrizisë për Donald Trump-in, ku në njërën anë ai ndalon hyrjen e myslimanëve në vend, dhe pastaj në anën tjetër fton në Shtëpinë e Bardhë diplomatë të lartë për iftar. Është hipokrite dhe veprimet e tij me ndalimin e udhëtimeve për njerëzit nga disa vende myslimane dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes për myslimanët janë jo-amerikane dhe jo-presidenciale", tha protestuesi Bilal Askaryar.

Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, zoti Trump bëri thirrje për një ndalim të plotë të hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara dhe nënshkroi urdhëra ekzekutive që kufizojnë imigracionin nga vendet me shumicë myslimane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG