Uragani Matthew është cilësuar si "përbindësh" dhe vërtetë "stuhi e shekullit", ndërsa po përparon drejt bregut lindor të Floridës.
Matthew tashmë ka lënë pas vetes qindra të vrarë në Karaibe, përfshirë 283 në Haiti.
Të enjten vonë, Matthew goditi pjesën perëndimore të ishujve Bahama, derisa po lëvizte drejt Floridës ku pritet te godasë të premten.
Stuhia e fuqishme e shkallës së katërt sjell me vete erëra të forta që arrijnë në 210 kilometra në orë.
Zyrtarët e Floridës i quajtën "të marrë" ata që kanë vendosur të mos evakuohen, duke theksuar se nuk mund të shpjegojnë mjaftueshëm se sa e rrezikshme është kjo stuhi dhe çfarë shkatërrimesh mund të shkaktojë mbi shtetin.
Presidenti Barack Obama tashmë e ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Florida dhe në Karolinën e Jugut.
Kryetari i Floridës ka aktivizuar 3 mijë e 500 trupa të Gardës Kombëtare. Ekspertët thonë se pjesë të shtetit mund të jenë të pabanueshme për javë të tëra pas stuhisë.
Zëdhënësi i Administratës Federale për menaxhimin e emergjencave, Raphael Lemaitre, i tha Zërit të Amerikës se agjencia ka personel dhe burime të tjera të gatshme për të vepruar.
"Kemi furnizime në terren të shpërndara në zonën që mund të goditet. Gjëra si ujë, ushqime, batanije e shtretër. Po ashtu kemi personel në terren", tha Lemaitre.
Matthew la pas vetes skena të dhimbshme mjerimi në Haiti, shteti më i varfër në hemisferën perëndimore.
Qeveria tha se të paktën 283 veta kanë humbur jetën dhe numri mund të rritet jo vetëm për shkak të stuhisë por edhe kolerës dhe rreziqeve të tjera pas stuhisë.
Presidenti i përkohshëm i Haitit, Jocelerme Privert, i cili fluturoi përmbi siujdhesë në një avion të rojës bregdetare amerikane, e përshkroi situatën si "katastrofale".
Kombet e Bashkuara thanë se afro 6 milionë haitianë janë prekur nga stuhia dhe 350 mijë veta kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme.
Marina amerikane ka vene në dispozicion nëntë helikopterë ushtarak, një aeroplanmbajtëse dhe trupa për t'ju përgjigjur kërkesës së Haitit për ndihmë. Disa nga helikopterët janë të pajisur me mjete të kërkim shpëtimit dhe disa për transportimin e furnizimeve.
Haiti ka shtyrë zgjedhjet presidenciale të së dielës.
Uragani Matthew ka shkaktuar shkatërrime në Kubë por nuk ka pasur të vdekur.