Hunter Biden, djali i ish-nënpresidentit amerikan Joe Biden, të dielën mbrojti punën e tij në Ukrainë dhe Kinë pas thirrjeve të Presidentit Donald Trump që të dy vendet të hetojnë marrëdhëniet e tij të biznesit, thirrje që e kanë përfshirë Presidentin Trump në një hetim të Kongresit për shkarkimin e tij.
Hunter Biden, babai i të cilit është një nga kandidatët kryesorë demokratë që kërkon të përballet me Presidentin Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, tha në një deklaratë të lëshuar nga avokati i tij se përkundër akuzave të Trumpit për shkelje, ndërsa ai ishte anëtar i bordit të kompanisë së energjisë Burisma në Ukrainë për pesë vjet, asnjë agjenci e huaj apo vendase e zbatimit të ligjit nuk e ka akuzuar atë për ndonjë keqbërje.
Hunter Biden u largua nga bordi i Burisma-s prillin e kaluar dhe tha, pa dhënë një shpjegim, se do të largohej nga bordi i Kompanisë së Menaxhimit të Fondit të Investimeve të Kapitalit BHR (Shanghai) të Kinës në fund të tetorit.
Sipas njoftimeve të publikuara ai është paguar 50,000 dollarë në muaj për të shërbyer në bordin e Burismas, megjithëse në deklaratën e tij e së dielës nuk përmendej rroga që mori. Avokati i Hunter Bidenit, George Mesires, tha se pozicioni me firmën kineze të investimeve ishte i papaguar, por se Hunter Biden dy vjet më parë investoi 420,000 dollarë për 10% të aksioneve në firmë, të cilën ai ende e mban, megjithëse nuk ka marrë ndonjë fitim nga investimi i tij.
"Hunter hyri në këto aktivitete biznesi në mënyrë të pavarur," tha zoti Mesires. "Ai nuk e pa të nevojshme për t'i diskutuar ato me babanë e tij, dhe të njëjtën gjë bëri edhe i ati."
Por, Presidenti Trump në një telefonatë në fund të korrikut me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy kërkoi "një favor", që Ukraina të hetonte aktivitetet e biznesit të Hunter Biden-it atje dhe përpjekjet e Joe Biden kur ai ishte i dërguari i Presidentit Barack Obama, për të shkarkuar një prokuror ukrainas, një lëvizje që nga të dhëna e shumta nuk kishte të bënte me veprimtaritë e Burisma-s dhe në atë kohë ishte mbështetur nga vendet e tjera perëndimore. Presidenti Trump më pas i kërkoi publikisht Kinës të hetojë Hunter Biden-in.
Deri të dielën, Bideni i ri kishte qëndruar i heshtur ndërsa presidenti Trump e quante atë "një dështak" me pak aftësi biznesi dhe e sulmoi atë në një tubim politik javën e kaluar për shkak se u nxorr nga njësitë rezerviste të Marinës amerikane në vitin 2013 për përdorim të kokainës.
"Hunter, ti nuk di asgjë për energjinë", tha presidenti Trump. "Nuk di asgjë për Kinën. Nuk di asgjë për asgjë, sinqerisht. Hunter, je një dështak".
Të dielën, Trump tha në Tweeter, "Ku është Hunteri? Ai është zhdukur plotësisht! Tani duket se ka sulmuar dhe ka përdorur skema edhe në më shumë vende!"
https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1183385881320853509
Facebook Forum