Një hetues i lartë i qeverisë amerikane u tha ligjvënësve të mërkurën se prezenca e Shteteve të Bashkuara në Afganistan, gjatë administratave demokrate dhe republikane, ishte një dështim masiv që kushtoi triliona dollarë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, kjo dëshmi vjen ndërsa ligjvënësit po shqyrtojnë pse tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani ishte kaq kaotike.
Në rrugët e Kabulit, talebanët hyjnë në muajin e tyre të dytë të qeverisjes së Afganistanit, ndërsa përballen me thatësirën, paqëndrueshmërinë ekonomike dhe dhunën e vazhdueshme.
Këto shërbejnë si një kujtesë se sa shpejt janë shkatërruar përpjekjet 20-vjeçare amerikane në këtë vend. Ligjvënësit amerikanë që mbikqyrin asistencën prej triliona dollarësh, dëgjuan këtë javë një dëshmi të zymtë nga një hetues i lartë.
"Qeveria amerikane nuk e kuptoi kontekstin politik dhe kulturor afgan, duke mundësuar kështu fuqizimin e ndërmjetësve të pushtetit dhe politikanëve të korruptuar", deklaroi John Sopko, Inspektor i Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit.
Zoti Sopko tha se administratat e njëpasnjëshme amerikane - si demokrate ashtu edhe republikane - pretendonin se suksesi i rindërtimit ishte gjithmonë pranë, duke zgjatur kështu praninë prej dy dekadash, që rezultoi në humbje fondesh.
"Ushtarë fantazmë - policë fantazmë - pamë se si qeverisja afgane përbëhej nga individë që nuk ekzistonin. Ne përfunduam duke ua paguar edhe rrogat", tha zoti Sopko.
Dëshmia e zotit Sopko vjen ndërsa ligjvënësit amerikanë po hetojnë se si e menaxhoi administrata e Presidentit Biden tërheqjen në muajin gushtit.
"Presidenti Biden dhe zyrtarët në administratën e tij kanë vazhduar të këmbëngulin se ekzistonin vetëm dy mundësi: tërheqja e plotë, qoftë kaotike dhe e përgjakshme, ose mbajtja e dhjetëra mijëra forcave pafundësisht në terren. Por besoj se është një premisë e rreme. Së pari, Presidenti Biden mund të kishte dëgjuar gjeneralët e lartë, që e këshilluan të linte një forcë të vogël kundër terrorizmit", tha ligjvënësi republikan Michael McCaul.
Por demokratët argumentojnë se Presidentit Joe Biden iu trashëgua një problem pa zgjidhje nga paraardhësi i tij.
"Marrëveshja që Presidenti Trump dhe Sekretari Pompeo nënshkruan me talebanët kontribuoi drejtpërdrejt në destabilizimin, që solli tërheqjen e furishme të kësaj vere", tha ligjvënësi Greg Meeks, Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
Një analist thotë se administrata e Presidentit Biden kishte alternativa të tjera përpara tërheqjes, që la mijëra aleatë afganë të bllokuar dhe 13 ushtarakë amerikanë të vdekur në një shpërthim në aeroport.
"Për më tepër, talebanët kurrë nuk u përpoqën me të vërtetë të bëjnë kompromis me qeverinë e Ashraf Ghanit për ndarjen e pushtetit, e cila është një shkelje tjetër e marrëveshjes së 29 shkurtit 2020, e negociuar nën Presidentin Trump. Kështu që, unë mendoj se Presidenti Biden kishte fleksibilitetin për t’i thënë thjesht talebanëve se: ‘Ju nuk po e zbatoni marrëveshjen, kështu që as unë nuk do ta bëj këtë. Duhet të ulemi në bisedime për paqen; të shohim nëse mund të dalim me një lloj marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit. Dhe nëse gjithçka ndodh në mënyrë të pranueshme, atëherë mund të gjejmë një mënyrë që Shtetet e Bashkuara të largohen’, " thotë Michael O’Hanlon, nga Instituti Brookings.
Shtatë senatorë republikanë paraqitën një projekt-ligj në fillim të kësaj jave duke bërë thirrje për një hetim të veçantë mbi mënyrën se si administrata e Presidentit Biden menaxhoi tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani.
Facebook Forum