Lidhje

Freedom House për lirinë e medias në Shqipëri dhe Kosovë


Organizata Freedom House nxorri sot indeksin për lirinë e shtypit në botë, ku Shqipëria dhe Kosova përsëri radhiten në kategorinë e vendeve me media pjesërisht të lirë. Sipas raportit, Shqipëria ka shënuar përparim, ndërsa Kosova ka shënuar një hap prapa. Rezultati i Shqipërisë është 49, dy pikë më lart nga 51 vitin e kaluar, në një shkallë ku 0 është rezultati më pozitiv dhe 100 më negativi. Përsa i takon renditjes së vendeve, Shqipëria është e 96-ta mes 197 vendesh, në krahasim me vendin e 107-të të vitit të kaluar. Rezultati për Kosovën është po 49, por në renditjen e vendeve është e 102-ta në krahasim me 98 vitin e kaluar. Drejtorja e Projektit për Lirinë e Shtypit në Freedom House, Karin Karlekar foli për gjetjet kryesore për Shqipërinë dhe Kosovën në një intervistë për Zërin e Amerikës:

Freedom House për lirinë e shtypit në Kosovë dhe Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:31 0:00

Zëri i Amerikës: Cilat janë përfundimet kryesore për Shqipërinë në raportin e këtij viti?

Karin Karlekar: Në renditjen e këtij viti pamë një përmirësim për Shqipërinë. Rezultati për Shqipërinë u rrit me dy pikë, pra është një prirje pozitive krahasuar me atë që kemi parë vitet e fundit. Një nga zhvillimet pozitive që kemi vënë re është eliminimi i dënimeve me burgim për rastet e shpifjes në sferën legale. Mendoj se kjo solli si rezultat përmirësim më të gjerë në mjedisin e medias.

Zëri i Amerikës: Shqipëria ka qenë për një kohë të gjatë në kategorinë e vendeve me media pjesërisht të lirë dhe disa nga problemet në këtë drejtim janë bërë pjesë e sistemit. Cilat mendoni se janë sfidat kryesore për median në Shqipëri?

Karin Karlakar: Ka klauzola ligjore dhe rregullatore që ende nuk përputhen me standardet ndërkombëtare, megjithëse siç e thashë eliminimi i dënimit me burg për shpifje ishte një hap pozitiv, një lëvizje në drejtimin e duhur. Po ashtu ka raste sulmesh dhe shqetësimesh ndaj gazetarëve që mbulojnë ngjarje dhe ky është një shqetësim i vazhdueshëm. Po ashtu ka shqetësime për anën ekonomike, përsa i takon pronësisë dhe përqendrimit të organeve të medias, si edhe njëanshmërisë së tyre. Por në përgjithësi rezultati numerik për Shqipërinë ka qenë i qëndrueshëm vitet e fundit dhe ky vit ishte pozitiv falë përmirësimit ligjor.

Zëri i Amerikës: Një nga sfidat e përmendura për Shqipërinë janë siç sugjeruat ju, varësia ekonomike por edhe lidhjet mes medias, biznesit dhe politikës. Cilat mendoni se duhet të jenë hapat për përmirësim në këtë drejtim?

Karin Karlakar: Është vërtet një shqetësim që ka ekzistuar për një kohë të gjatë dhe është problem jo vetëm për Shqipërinë por edhe për shumë vende të tjera në rajon. Kjo është diçka relativisht më e vështirë për t’u ndrequr. Shpesh ligje si ai për lirinë e informimit, apo ai për shpifje janë më të lehta për t’u ndryshuar, ndërsa aspekti ekonomik është më i vështirë për t’u zgjidhur. Një aspekt i rëndësishëm është që të ketë një nivel transparence për pronësinë e medias që njerëzit të jenë në dijeni të këtyre lidhjeve.

Zëri i Amerikës: Ju ndiqni ecurinë e medias në vendet e ndryshme për vite me radhë dhe këtë vit Shqipëria ka shënuar përmirësim. Por për vite me radhë media në Shqipëri ka qenë në kategorinë e vendeve me liri të pjesshme përsa i takon medias. Kur duhet të pritet që një vend të kalojë në kategorinë e vendeve me media të lirë?

Karin Karlekar: Rezultati i Shqipërisë e vendos vendin pa mëdyshje mes vendeve me liri të pjesshme prandaj mendoj se do të duhej të bëheshin ndryshime madhore për të kaluar në kategorinë e vendeve me media të lirë. Do të duheshim më shumë reforma ligjore, më shumë liri informimi një ambjent më i hapur rregullator, si edhe më pak ndërhyrje politike në përmbajtjen e medias dhe në ambjentin ekonomik. Pra ka probleme në të gjitha aspektet, që po e frenojnë Shqipërinë. Ne shpresojmë që Shqipëria të vazhdojë në trajektoren pozitive që vihet re këtë vit.

Zëri i Amerikës: Edhe media e Kosovës është në kategorinë e vendeve me media pjesërisht të lirë. Cilat janë sfidat që vini re atje këtë vit?

Karin Karlekar: Këtë vit rezultatet për dy vendet do të jenë të njëjta: 49, që është pak a shumë në mes të sistemit tonë të vlerësimit që shkon nga 0-100. Disa nga sfidat janë të ngjashme, si për shembull aspekti ekonomik dhe lidhja mes politikës dhe medias. Në Kosovë vitin që kaloi pati një prirje shqetësuese, pasi parlamenti miratoi amendamente në kodin penal, për ta rikthyer ndjekjen penale për shpifje dhe kjo ishte një lëvizje në drejtimin e gabuar. Një anë pozitive ishte se Presidentja u përpoq të vendoste veton për këto propozime, por parlamenti ia ktheu mbrapsht. Në Kosovë pra mund të thuhet se pati një betejë ligjore që përundoi me një lëvizje në drejtim të gabuar. Ligji hyn në fuqi në vitin 2013 dhe kjo e fut Kosovën në një rrugë me drejtim të gabuar. Fatkeqësisht ndërsa në Shqipëri pamë një prirje poztive, në Kosovë është e kundërta, për të njëjtën çështje: kriminalizimin e shpifjes.
XS
SM
MD
LG