Lidhje

Burgoset Paul Manafort


Një prej ish-menaxherëve të fushatës presidenciale të Donald Trump-it, Paul Manafort, u dërgua në burg të premten pasi një juri federale ngriti padi kundër tij nën akuzat për manipulim dëshmitarësh, kur ai ishte i lirë me kusht.

Kundër 69-vjeçarit Paul Manafort u ngritën dy akuza të reja javën e kaluar për pengim drejtësie dhe komplot për të penguar drejtësinë në lidhje me përpjekjen për të ndikuar në dëshminë e dy dëshmitarëve të paidentifikuar.

Duke folur me gazetarët të premten jashtë Shtëpisë së Bardhë, presidenti Trump tha se Manafort u trajtua padrejtësisht.

“Ata kontrolluan 12 vjet më parë për të gjetur diçka? Paul Manafort punoi për mua për një periudhë shumë të shkurtër kohe. Ai punoi për Ronald Reagan-in, ai punoi për Bob Dole, ai punoi për John McCain, ai ka punuar për shumë republikanë të tjerë. Ai punoi për mua për 49 ditë, periudhë shumë të shkurtër kohe. Më vjen keq për disa njerëz sepse kanë kontrolluar deri 12 vjet më parë për të gjetur diçka. Unë nuk mendoj se është e drejtë”.

Manafort drejtoi fushatën presidenciale të Trumpit nga qershori deri në gusht të vitit 2016, dhe pastaj u lirua nga puna pasi u zbulua se nuk kishte deklaruar pagesat që kishte marrë nga një parti politike pro-ruse në Ukrainë.

Manafort deklaroi dje pafajësinë në lidhje me akuzat e reja.

Por gjykatësja federale Amy Berman Jackson, i tha Manafort-it: “Nuk mund të injoroj” akuzat për manipulim dëshmitarësh.

Pastaj Manafort u nxor jashtë gjykatës i shoqëruar, ndërsa gruaja e tij vështronte e tronditur. Agjentët i dhanë asaj rripin, kravatën dhe portofolin e tij.

Gjykatësja vendosi që Manafort do të mbahet në burg në pritje të gjyqit të tij në shtator, duke miratuar një mocion nga prokurori special Robert Mueller për t’i hequr të drejtën për lirim me kusht.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG