Lidhje

Kosovë, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, kërkohen paga më të larta


Kosovë: Dita ndërkombëtare e punëtorëve
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:08 0:00

Grupe punëtorësh të sektorit privat hodhën të shtunën përballë ndërtesës së qeverisë së Kosovës mjete mbrojtëse të punës si dhe vendosën parulla me kerkësa për kushte më të mira punë dhe rritje të pagës minimale.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të sektorit privat, Jusuf Azemi, tha se punëtorët në sektorin privat në Kosovë marrin pagat më të ulta në rajon dhe u mungon siguria në punë.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Ajdini, në një bisedë me Zërin e Amerikës tha se pandemia COVID-19 ka thelluar problemet e punëtorëve.

“Nuk jemi të kënaqur sepse kemi të dhëna që punëtorët punojnë nga 12 orë, kontratën e ka tetë orë, kështu që inspektori kur shkon të inspektojë pasi ka marrë informatën atëherë punëdhënësi del me letra shumë në rregull dhe nuk mund të gjobitet. Mirëpo është edhe frika te punëtori meqë ky nuk e akuzon punëdhënësin sepse e largon nga puna. Arsyeja është që për një vend pune këtu konkurrojnë sigurisht pesë mijë e më tepër kandidatë”, thotë ai.

Pandemia goditi tregun e punës në Kosovë e cila pësoi rënie të Prodhimit të Përgjithshëm Kombetar deri në 6 për qind, duke e radhitur në mesin e vendeve me rënien më të madhe në rajon pas Malit të Zi. Nuk ka të dhëna zyrtare por shoqatat ekonomike pohojnë se dhjetëra mijëra biznese kanë falimentuar ndërsa rreth 50 mijë veta mund të kenë humbur vendet e punës.

Jeton Mehmeti nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, thotë se që nga fillimi i pandemisë, numri i punëkërkuesve, edhe ashtu i lartë, ka shënuar rekorde të reja.

“Për shembull në muajin shtator (2020) rreth 190 mijë punëkërkues të regjistruar kanë qenë në Agjencinë e Punësimit, prej të cilëve gjysma gra. Kjo nënkupton se edhe gratë sikur burrat janë ballafaquar me pasoja të njëjta qoftë të humbjes së vendit të punës, qoftë të pasigurisë në ato vende pune që kanë pasur”, thotë zoti Mehmeti.

Avni Kastrati nga Agjencia e Statistikave të Kosovës thotë se papunësia e grave është shumë më e lartë se ajo e burrave.

“Rreth 80 për qind e femrave të moshës 15 deri në 64 vjeç, nuk janë aktive, nuk kërkojnë punë, nuk aplikojnë e nuk interesohen e kjo e rritë do të thotë gjithë shkallën e joaktivitetit. Ndërsa shkalla e papunësisë prej atyre që janë aktive e që dëshirojnë punë, varion nga kuartali në kuartal, ndërmjet 30 e 34 për qind”, thotë zoti Kastrati.

Zoti Ajdini thotë se këtë vit Bashkimi i Sindikatave të Pavarura ka pesë kërkesa për institucionet shtetërore.

“E para është marrëveshja kolektive që ka skaduar afati i saj nga viti 2017 dhe sot nuk kemi të nënshkruar marrëveshjen kolektive kombëtare. E dyta është sigurimi i shëndetit, kërkesa e tretë është paga minimale, kërkesa e katërt është nivelizimi i pagave dhe rregullimi i ligjit mbi nivelizimin e pagave dhe kërkesa e fundit rregullimi i çështjeve pensionale”, thotë ai.

Instituti GAP i bën thirrje qeverisë të trajtojë disa çështje me përparësi, për ta përmirësuar situatën aktuale në vend.

“E para më shumë politika aktive të punësimit dhe kjo nënkupton gjenerim të më shumë vendeve të punës qoftë me fuqizimin e sektorit privat, me tërheqjen e investimeve të huaja apo me mbështetjen e ndërmarrësisë. E dyta është të ketë më shumë meritokraci në punësimet publike sepse te ne për fat të keq shkalla e nepotizmit është mjaftë e lartë. E treta është fuqizimi i inspektoratit të punës sepse ka për obligim të mbikëqyrë zbatimin e ligjit të punës, si dhe e fundit është mbështetja e Agjencisë së Punësimit dhe zyrave të punësimit”, thotë ai.

Shkalla e lartë e papaunësisë rrjedhimisht ka shkaktuar edhe rritje të shkallës së varfërisë në vend ku 18 për qind jeton në varfëti, ndërsa mbi 5 për qind e saj në varfëri të skajshme, që i bie me më pak se dy dollarë në ditë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG