Autoritetet në Kosovë konfirmuan sot se gjatë 24 orëve të fundit, 18 persona kanë humbur jetën nga pasojat e COVID-19.
Po ashtu brenda 24 orëve janë konfirmuar një mijë e 891 raste të reja të të prekurve nga virusi.
Infektimet janë shtrirë gjithandej Kosovës dhe shifrat e ditëve të fundit e bëjnë gushtin një nga periudhat më të rënda që nga shpërthimi i pandemisë.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Zëri i Amerikës, vetëm gjatë 28 ditëve të muajit gusht janë regjistruar mbi 32 mijë raste të reja të të prekurve nga COVID-19 ndërsa 156 persona kanë humbur jetën.
Në përpjekje të frenimit të përhapjes së COVID-19, qeveria e Kosovës vendosi të shtunën masa të reja kufizuese, duke përfshirë kufizimn e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00, shtyrjen e fillimit të vitit të ri shkollor nga një shtatori për 13 shtator, shkurtimin e orarit të punës për baret dhe restorantet, që në bazë të vendimit të qeverisë do të mund të punojnë vetëm në hapësirat e jashtme.
Po ashtu, të gjithë personat që do të hyjnë në Kosovë, pavarësisht shtetësisë, duhet të ofrojnë dëshmi për vaksinim apo teste PCR dhe antigen, në të kundërtën duhet të izolohen për shtatë ditë.
Infektimet e ditëve të fundit kanë prekur më së shumti moshat e reja, që përbën rreth 50 për qind të infektuarve ditorë.
Rritja e hovshme e numrit të infektimeve, ka rritur edhe numrin e personave që janë shtrirë në spitalet e vendit. Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar bëri të ditur të shtunën se në spitalet dhe klinikat e Kosovës janë të shtrirë një mijë e 77 pacientë të konfirmuar me COVID-19, prej të cilëve 944 me oksigjeno-terapi ndërsa 63 në gjendje të rëndë shëndetësore.