Kandidati demokrat për president, Joe Biden foli të premten me besim në fitore, ndërkohë që vazhdon numërimi i votave në shtetet ku ende nuk është shpallur rezultati. Megjithëse kryeson me numrin e votakve elektorale, zoti Biden nuk deklaroi mbrëmë fitore, ndërkohë që ekipi zgjedhor i Presidentit Trump vazhdon të paraqesë sfida ligjore në këto shtete ku vazhdon numërimi i votave.
Aktualisht në kryesim në Pensilvani dhe Xhorxhia dhe gradualisht duke iu afruar numrit të nevojshëm prej 270 votash elektorale që nevojiten për të fituar presidencën, kandidati demokrat, Joe Biden tingëllonte plot vetëbesim se do të sigurojë fitoren.
Ai foli për nevojën për të bashkuar vendin.
“Synimi i politikës sonë nuk është luftë e përgjithshme, e pandalshme. Jo, qëllimi i politikës sonë është të punojmë për vendin, jo t’u fryjmë flakëve të konfliktit, por të zgjidhim problemet. Të garantojmë drejtësi për të gjithë dhe t’u japim të gjithëve një shans të drejtë, për të përmirësuar jetët”, tha zoti Biden.
Në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump nuk bëri komente publike të premten por fushata e tij nxori një deklaratë ku thoshte se “fletëvotimet e paligjshme nuk duhet të numërohen”, duke përsëritur një pretendim të paprovuar që kishte thënë të enjten lidhur me fletëvotimet me postë. Shtetet e padeklaruara po numërojnë tani fletëvotimet e dërguara me postë që në masë të madhe janë për zotin Biden.
"Po fitonim në shtete të rëndësishme me diferencë të konsiderueshme, pastaj numrat filluan si për mrekulli të zhduken në formë sekrete”, tha Presidenti Trump.
Të dyja fushatat kanë përfaqësues në qendrat për numërimin e votave për të vëzhguar procesin. Me një diferencë shumë të ngushtë, zoti Biden kryeson në Uiskonsin dhe Xhorxhia. Kjo nënkupton se do të nevojitet rinumërim, por bazuar në përvojën e mëparshme, ky proces rrallë herë e përmbys rezultatin.
Përkrahësit e presidentit kanë kërkuar rinumërim edhe në Miçigan, ndërkohë që fushata e zotit Trump kishte ngritur aktpadi në disa shtete të padeklaruara, përfshirë Pensilvaninë, lidhur me numërimin e votave që arritën pas ditës së zgjedhjeve.
“Presidenti Trump do të delegjitimojë votën, por realiteti është se kemi 50 procese zgjedhore në bazë shtetesh që funksionojnë në bazë të ligjit shtetëror. Pra nuk varet nga ajo që do administrata, apo nga pikëpamja e dikujt se çfarë është e drejtë, por varet nga ligji”, thotë zonja Shannon Bow O’Brien, nga Universiteti i Teksasit.
Gjykatësit kanë hedhur poshtë dy padi të ngritura nga kampi i presidentit në dy shtete.
Në bazë të ligjit, të gjitha sfidat ligjore dhe paqartësitë duhet të zgjidhen deri më 8 dhjetor, në përgatitje për takimin e Kolegjit Elektoral që voton për presidentin e ardhshëm më 14 dhjetor.
Facebook Forum