Lidhje

Apple hedh poshtë urdhrin për të ndihmuar FBI-në


Drejtori ekzekutiv i kompanisë Apple, Tim Cook tha sot se qeveria amerikane ndërmori “një hap të pashembullt” kur urdhëroi kompaninë që të ndihmonte FBI-në për të depërtuar tek një iPhone, i përdorur nga një nga autorët e sulmit në San Bernardino që shkaktoi vdekjen e 14 vetëve në dhjetor.

Një gjykatës e lëshoi urdhrin dje, duke thënë se Apple duhet të vërë në dispozicion një program kompjuterik, që të mund të shmangë një funksion të iIphone-it, që zhduk përmbajtjen e një paisjeje të tillë nëse diukush përdori fjalëkalimin e gabuar dhjetë herë. Autoritetet po hetojnë nëse Syed Rizwan Farook dhe gruaja e tij Tashfeen Malik, kishin lidhje ekstremiste por nuk kanë mundur që të fitojnë qasje në telefonin e Farookut, pa fjalëkalimin e tij.

Në një deklaratë në faqen e internetit të kompanisë, zoti Cook tha se Apple po e sfidon kërkesën e FBI-së sespe krijimi i një programi që do të mund të zbërthente masat e sigurisë të vetë kompanisë do të ishte “shumë i rrezikshëm”. Ai përmendte nevojën për të mbrojtur informacionin nga piratët kibernetikë dhe kriminletët dhe hodhi poshtë sugjerimin e gjykatësit që një program I tillë mund të krijohej vetëm për telefonin e Farookut.

Zoti Cook tha se kompania nuk ka simpati për terroristët dhe i ka dhënë FBI-së të dhëna të vetat dhe ka vënë në dispozicion inxhinierë me ide për alternativa të tjera që hetuesit mund të përdorin.

"Megjithëse ne besojmë se qëllimet e FBI-së janë të mira, nuk do të ishte e drejtë që qeveria të na detyronte që të ndërtonim një program që të ekspozonte prodhimet tona. Përveç kësaj, ne kemi shqetësimin se kjo kërkesë do të minonte ato liri që qeveria jonë duhet t’i mbrojë”.

Zoti Cook e quajti urdhrin një “kapërcim kompetencash nga ana e qeverisë” dhe tha se do të sillte si rezultat krjimin e një precedenti që autoritetet të siguronin të dhëna personale nga telefonat e kujtdo.

Urdhri i së martës, i jep kompanisë Apple alternativën që t’i ofrojë qeverisë mënyra të tjera për t’u qasur në telefonin e Farookut, përsa kohë që metodat përputhen me kërkesën për të anashkaluar funskionin e zhdukjes së të dhënave, i lejojnë FBI-së që të gjejë fjalëkalimet dhe të sigurojë që asnjë program tjetër në telefon të mos shkaktojë vonesa për përpjekjet për të përdorur fjalëkalimet.

XS
SM
MD
LG