2010-a duket se do të jetë një vit i shtrenjtë zgjedhjesh në Shtetet e Bashkuara. Përveç shpenzimeve të zakonshme nga kandidatët individualë dhe këshillat kombëtarë të partive, grupe të tjera të jashtme po shpenzojnë dhjetra miliona dollarë në përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet e nëntorit për kongres. Korrespondeti i Zërit të Amerikës, Jim Malone njofton mbi rolin e fondeve në këto gjedhje.
Fushatat zgjedhore janë shumë të shtrenjta këtu në Shtetet e Bashkuara sepse shumica e kandidatëve për Kongres i përqëndrojnë shpenzimet e tyre tek reklamat televizive.
Në një garë të ngushtë siç është ajo në shtetin e Nevadës për një vend në Senat, miliona dollarë grumbullohen dhe shpenzohen për sulme ndaj kandidatëve.
Në këtë rast, lufta e fjalëve përmes televizionit po zhvillohet midis Senatorit veteran, Harry Reid, udhëheqës i demokratëve në Senat dhe kundërshtarit të tij republikan Sharron Angle.
Shpezimet nga grupe të pavarura dhe të jashtme janë rritur sivjet dhe deri tani janë dyfishuar në krahasim me zgjedhjet e fundit më 2006.
Shtimi i shpenzimeve ka të bëjë shumë me një vendim të Gjykatës së Lartë në janar i cili hoqi kufizimet e përpjekjeve të korporatave dhe sindikatave të punëtorëve për të ndikuar në zgjedhje përmes reklamave televizive. Megjithatë kufizimet mbi dhurimin e drejpërdrejt të parave për kandidatët për kongres mbetën në fuqi.
Shumica e fondeve që po grumbullohen sivjet nga grupe të jashtme me interesa të veçanta kanë si objektiv demokratët, prandaj kandidatët demokratë po përpiqen ta ngrejnë këtë çështje. Presidenti Barak Obama ka folur për këtë çështje gjatë fushatës që po bën në vend në mbështetje të kandidatëve demokratë, duke rritur mundësinë që korporatat apo interesat e huaja të luajnë rol në grumbullimin e fondeve.
“Ata nuk kanë guxim t’i identifikojnë këto grupe ose korporata. Këto mund të jenë kompani të sigurimeve ose Banka të Wall Stritit e bile edhe korporata të huaja.Ne nuk mund të dimë...”
Demokratët u përpoqën por dështuan të miratonin një ligji në Kongres sipas të cilit grupet e pavarura fondmbledhëse duhet të identifikojnë burimin e kontributeve për fushata.
Tani demokratët po bëjnë fushatën e tyre me reklama dhe kanë vënë në shenjestër grupe të tilla si Dhoma e Tregtisë e Shteteve të Bashkuara, meqenëse ajo po mbledh fonde për të ndihmuar në zgjedhjen e republikanëve më 2 nëntor.
Dhoma e Tregtisë i ka mohuar akuzat se po përdor kontribute të huaja për të ndihmuar kandidatët republikanë dhe ish këshilltari i ish Presidentit Bush Karl Rove reagoi ashpër ndaj këtyre akuzave.
“Ata, Demokratët nuk kanë asnjë provë për këto akuza të pabaza. Është dëshpëruese dhe shqetësuese që presidenti amerikan përpiqet të njollosë kundërshtarët e tij politikë sipas një liste armiqsh dhe pa fakte.”
Në javët e fundit të kësaj fushate zgjedhore, demokratët e kanë pasur të vështirë të konkurojnë me fondet e mbledhura nga republikanët, veçanërisht me miliona dollarët e mbledhur nga grupet e pavarura dhe të jashtme. Allan Lichtman është ekspert politik pranë Universitetit Amerikan këtu në Washington.
“Donatorët e pasur mund të derdhin shuma të mëdha fondesh për fushata zgjedhore pa patur nevojë të identifikohen. Kështu që Republikanët janë në gjendje shumë të mirë për sa u përket fondeve. Ata kanë mbështetjen bazë nga Lëvizja Tea Party, gjë që demokratëve u mungon dhe republikanët kanë shumë para.”
Por ekspertë të tjerë thonë se shqetësimi kryesor i demokratëve në këtë kohë nuk janë fondet, por anketat e opionit publik, të cilat tregojnë se Republikanët po shkojnë drejt një fitoreje të madhe në të 2 dhomat e kongresit më 2 nëntor.