Lidhje

SHBA: Një kongresmen mysliman bën thirrje për tolerancë


SHBA: Një kongresmen mysliman bën thirrje për tolerancë
SHBA: Një kongresmen mysliman bën thirrje për tolerancë

Në vitin 2006, Kith Ellison u bë myslimani i parë amerikan i zgjedhur në Kongresin amerikan. Një ndër kauzat për të cilën është angazhuar gjatë kohës sa ka shërbyer në Dhomën e Përfaqësuesve ka qenë toleranca për dallimet fetare. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Ellison tha se është i shqetësuar nga një rritje e ndjenjave anti-islamike e shfaqur gjatë javëve të fundit. Korrespondentja Sindi Sejn njofton.

Zgjedhja e Kith Ellisonit tërhoqi vëmendjen në mbarë botën. Ai bëri betimin duke vënë dorën mbi një Kuran që i përkiste Tomas Xhefersonit, autori i Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Demokrati nga Mnesota është një nga dy amerikanët myslimanë që shërbejnë në Kongres. Ai thotë se zgjedhja e tij dëshmon se Amerika është e hapur ndaj njerëzve të të gjitha besimeve.

Por javët e fundit, zoti Ellison është shqetësuar nga polemikat rreth planeve për ndërtimin e një qendre islamike në Nju Jork, në afërsi të vendit ku ndodhën sulmet terroriste më 11 shtator 2001. Kritikët thonë se qendra, që përfshin një xhami, do të ishte ofendim ndaj familjeve të atyre që humbën jetën në ato sulme.

Kongresmeni Ellison foli në një aktivitet mbi këtë temë, duke mbështetur ndërtimin e qendrës islame.

Ai gjithashtu lavdëroi komentet e Presidentit Obama se myslimanët kanë të drejtën për të ushtruar fenë e tyre dhe për të ndërtuar objekte kulti në pronë private – përfshirë Manhatanin e Poshtëm.

“Presidenti Obama bëri një deklaratë madhështore duke thënë se ndërkohë që ka institucione të tjera fetare afër vendit të sulmeve të 11 shtatorit, ka biznese e aktivitete të tjera, nuk mund të thoni se të gjithë janë të miresardhur përveç myslimanëve. Përndryshe do të vendosej një sistem i dyfishtë dhe ky nuk është tipar i Amerikës.”

Zoti Ellison i tha Zërit të Amerikës se veprimet e disa personave të dyshuarve për terrorizëm po shkaktojnë probleme për miliona myslimanë amerikanë, të cilët kontribuojnë në shoqërinë amerikane. Ai përmendi Anvar al-Avlakin, klerikun mysliman që dyshohet se ka luajtur rol kyç në disa prej sulmeve më të bujshme kundër Shteteve të Bashkuara, përfshirë komplotin për të hedhur në erë një avion ditën e Krishtlindjeve.

“Anvar al-Avlaki, që është i lindur në Amerikë dhe tani jeton diku në Jemen, ka publikuar deklarata në internet duke nxitur myslimanët amerikanë të dëmtojnë vendin tonë. Jam i tmerruar nga ato që ka thënë dhe ka bërë ai. Ai jetoi nën strehën dhe nën ombrellën që ofron Kushtetuta e këtij vendi. Ishte i lirë të praktikonte besimin fetar sipas vullnetit të tij; ishte i lirë të shprehej, i lirë të bënte çfarë të donte, por jo të shkelte ligjin.”

Zoti Ellison u bën thirrje myslimanëve të rinj në mbarë botën të heqin dorë nga dhuna dhe të mos lejojnë veten të provokohen prej nxitësve të urrejtjes nga cilado fe.

Tensionet u acaruan muajin e kaluar kur kleriku i një kishe të vogël në Florida kërcënoi se do të digjte Kuranin, por më vonë anuloi planet e tij. Zoti Ellison thotë se nxitja e mirëkuptimit mes njerëzve të feve të ndryshme është përparësi për të.

“Flas gjerësisht për dialog ndërfetar dhe u them njerëzve, siç u thashë edhe kur u bënë kërcënimet për djegien e Kuranit, të takojnë njerëz të feve të tjera, të komunikojnë me ta. U them që të nxisin njerëzit në kishën e tyre që të takohen me myslimanë ose t’i nxisin njerëzit në xhamitë e tyre të takohen me hebrenj.”

Si të 435 anëtarët e Kongresit, zotin Ellison po konkurron për t’u rizgjedhur në nëntor dhe thotë se mundësitë e tij janë shumë të mira për të fituar një mandat të tretë. Ai thotë se planifikon të vazhdojë nxitjen e tolerancës mes njerëzve të kulturave të ndryshme.

XS
SM
MD
LG