Lidhje

Klinton: Sanksionet shtesë ekonomike dhe financiare kundër Iranit po japin rezultat


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, thotë se sanksionet shtesë ekonomike dhe financiare kundër Iranit po japin rezultat dhe kjo vërtetohet nga disa raporte nga rajoni. Në një intervistë televizive dje në programin “This Week” të kanalit ABC, zonja Klinton tha se regjimi iranian është “mjaft i shqetësuar” rreth ndikimit të sanksioneve në sistemin bankar të vendit dhe rritjes ekonomike të Iranit.

Ajo shprehu gjithashtu shqetësimin për shtimin e pushtetit të ushtrisë dhe Gardës Revolucionare në jetën politike të Iranit. Zonja Klinton tha e shpreson të bëhen përpjekje brenda Iranit “nga udhëheqës të përgjegjshëm civilë dhe fetarë” për të mbajtur nën kontroll “aparatin shtetëror”, siç u shpreh ajo.

Sekretarja e Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara duan që Irani të kthehet në bisedimet ndërkombëtare për programin e tij bërthamor dhe të lejojë inspektimin e plotë të objekteve të tij bërthamore.

Në komentet që bëri gjatë një intervistë të regjistruar përtë njejtin program, Presidenti i Iranit Mahmud Ahmadinexhad tha se Irani do të bisedojë rreth programit të tij në kushtet “e drejtësisë” dhe “respektit” reciprok.

Për një çështje tjetër, Presidenti i Iranit Mahmoud Ahmadinejad nuk po i kushton vemendje sugjerimeve se dy alpinistët amerikanë që mbahen ende në Iran do të lirohen.

Alpinistja amerikane Sarah Shourd mbërriti në Shtetet e Bashkuara dje pas më shumë se një vit që u mbajt në burg në Iran. Për pyetjen mbi mundësinë e një lirimi të shpejtë të dy amerikanëve të tjerë që mbahen ende atje, President Ahmadinejad nuk mori ndonjë angazhim. Ai foli nëpërmjet përkthyesit në programin “This Week” të kanalit televiziv ABC.

"Ne duam që njerëzit të jenë të lirë e të mos vuajnë. Por ka një ligj në bazë të të cilit vendoset se kush qendron në burg dhe kush jo”.

Irani arrestoi Sarah Shourdin dhe dy alpinistët e tjerë vitin e kaluar pasi ata thuhet se kaluan kufirin dhe hynë në Iran nga Iraku. Po në këtë program të kanalit ABC, sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton mirëpirti lirimin e zonjushës Shourd.

"Jam shumë e kënaqur që kjo vajzë e re u kthye në shtëpinë e saj. Dua që edhe dy të rinjtë e tjerë amerikanë të kthehen në shtëpitë e tyre”.

Por Presidenti Ahmadinejad tha se nëse Shtetet e Bashkuara duan lirime të tjera në baza humanitare, administrata Obama duhet të bëjë një gjest të ngjashëm. Udhëheqësi iranin përsëriti thirrjen për lirimin e iranianëve që janë ndaluar në vende të tjera dhe janë dërguar pastaj në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Ahmadinejad tha gjithashtu se sanksionet ndërkombëtare që i janë vënë Iranit lidhur me programin bërthamor të vendit e kanë detyruar Iranin të bëhet më i fuqishëm dhe të shfrytëzojë më me efikasitet burimet e veta. Ai shprehu në përgjithësi predispozitën për dialog rreth ngecjes së bisedimeve për armët bërthamore dhe çështje të tjera.

"Ne kemi një plan për t’i diskutuar çështjet. Ne kemi qënë gjithmonë të gatshëm t’i diskutojmë çështjet përderisa ato të jenë në kuadrin ligjor dhe të bazuara në parimet e drejtësisë dhe respektit”.

Si kanditat në zgjedhjet e 2008s, President Barak Obama tha se do të ishte i gatshëm të takohej me armiqtë e Amerikës, përfshirë edhe udhëheqësin iranian. Bashkëbisedime të tilla ende nuk janë zhvilluar. Secretarja e Shtetit Hillary Clinton tha se nuk janë Shtetet e Bashkuara ato që i janë shmangur dialogut.

"Ne u kemi thënë prej kohësh iranianëve se kemi dy variante veprimi. Ne kemi variantin e presionit dhe variantin e angazhimit diplomatik. Ne vazhdojmë të jemi të hapur për variantin diplomatik. Por është fare e qartë se iranianët nuk duan të angazhohen në dialog me ne”.


Presidenti Ahmadinejad dhe udhëheqës të tjerë të botës ndodhen në New York për mbedhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që fillon punimet sot.

XS
SM
MD
LG