Niveli i papunësisë u ul në dhjetor në Shtetet e Bashkuara duke arritur 9 presje 4 përqind. Ky është niveli më i ulët në një vit e gjysmë.
Raporti i sotëm i Departamentit të Punës thotë se ekonomia amerikane krijoi 103 mijë vende pune në dhjetor. Megjithatë rritja ishte më e vogël nga sa pritej.
Rënia e nivelit të papunësisë erdhi pjesërisht ngaqë disa njerëz gjetën punë dhe të tjerë u dekurajuan të kërkonin. Zyrtarët amerikan nuk llogarisin njerëzit si të papunë në se nuk kërkojnë aktivisht të punësohen.
Raporti i papunësisë është i fundit që tregon se ekonomia amerikane po mëkëmbet nga recesioni më i rëndë në dekada por me një ritëm të ngadaltë.
Presidenti Barak Obama tha se dhjetori ishte muaji i 12 rradhazi që ka shënuar shtim të vendeve të punës, pjesërisht për shkak të shkurtimit të taksave dhe veprimeve të tjera të ndërmarra nga administrata. Në një fjalim sot në një uzinë, ai e quajti lajmin e uljes së papunësisë pozitiv por shtoi se ka ende shumë punë për të bërë për të shkurtuar këtë nivel.
Kreu i Bankës Qëndrore amerikane tha se pas dy vjetësh, niveli i papunësisë do të vazhdojë të jetë deri në 8 përqind. Ben Bernanke i tha sot komisionit të senatit se do të duhen ndoshta katër apo pesë vjet për të normalizuar papunësinë.