Autoritetet në Jemen vazhdojnë të kërkojnë për të dyshuar të tjerë në komplotin për të dërguar bomba të fuqishme në Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, zyrtarët amerikanë dhe britanikë po shqyrtojnë mënyra për të kontrolluar transportin ajror të mallrave, në mënyrë që të shmangen kërcënime terroriste në të ardhmen.
Këshilltari i administratës së Presidentit Obama për anti-terrorizmin, Xhon Brenen thotë se zyrtarët duhet të supozojnë se mund të ketë bomba të tjera në transportin e mallrave. Zoti Brenen tha në një intervistë për rrjetin NBC se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të kuptojnë më mirë se çfarë forme ka rreziku. Ai vuri në dukje se të gjitha fluturimet e transportit të mallrave nga Jemeni janë pezulluar.
Sekretarja e Brendshme e Britanisë, Tereza Mej tha se qeveria britanike po shqyrton mundësinë e kontrollit të mallrave të transportit ajror, pasi njëra nga bombat e postuara nga Jemeni u zbulua në një aeroport rajonal. Zonja Mej, në një intervistë për BBC-në theksoi shqetësimet e shprehura nga zoti Brennan se terrorizmi mbetet një kërcënim konstant.
Autoritetet në Jemen kanë vazhduar kërkimet në kryeqytetin e vendit, Sana dhe kanë marrë në pyetje punonjës të aeroporteve. Zyrtarët kanë bllokuar 26 paketa të dyshimta.
Një vajzë e re është ndaluar nën dyshimet për përfshirje në dërgimin e paketave nga Jemeni javën e kaluar. Paketat ishin dërguar në adresë të objekteve fetare hebraike në Çikago. Një avokat i vajzës, që është identifikuar si 22-vjeçarja Hanan al-Samavi nga Universiteti i Sanas, tha se ajo nuk ka lidhje me grupe ekstremiste, por mund të jetë mashtruar.