Qindra gra parakaluan të shtunën në qendër të Prishtinës për të shënuar 8 marsin - ditën ndërkombëtare të gruas.
Nën moton “Marshojmë për njana tjetrën” veprimtaret shfaqën shqetësimin e tyre me shkallën e lartë të dhunës ndaj grave në Kosovë dhe me pabarazitë me të cilat përballen ato.
Me thirrjet si “drejtësia e vonuar është padrejtësi” dhe “Sot marshojmë çdo ditë luftojmë”, pjesëmarrësit parakaluan pranë institucioneve shtetërore si prokuroria, policia e qeveria e Kosovës, duke hedhur ngjyrë të kuqe për të shprehur paknaqësitë me mënyrën e trajtimit të dhunës ndaj gruas.
Dhuna ndaj gruas shënoi ngritje gjatë vitit të kaluar në Kosovë.
Sipas të dhënave nga ministria e Drejtësisë, në vitin 2024, dy mijë e 385 gra ishin viktimë e dhunës në familje, një rritje krahasuar me vitin 2023 kur u regjistruan dy mijë e 120 raste. Gjatë këtyre dy viteve shtatë gra janë vrarë si pasojë e kësaj dhune.
“Sot protestojmë kundër dhunës seksuale, ekonomike, fizike e emocionale ndaj grave dhe trafikimit të grave e vajzave këtu e në të gjithë botën. Për integritetin, sigurinë dhe mirëqenien e të gjitha grave në punë, shkollë, shtëpi e rrugë. Ky marsh na bën thirrje t’i bëjmë ballë të vërtetës se jeta e dinjiteti i grave në Kosovë nuk kanë qenë e as nuk do të jenë primare në sistemin patriarkal kapitalist e në të gjitha format e shtypjes”, tha Alba Ajdarevikj nga Qendra e Kosovës për Studime Gjinore.
Dhuna ndaj gruas mbetet ndër shqetësimet kryesore të veprimtarëve për të drejtat e grave në vend, krahas problemeve si mungesa e pavarësisë ekonomike dhe pjesëmarrja ende e ultë e grave në jetën publike.