Prokruorët në Prishtinë ngritën të mërkurën aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e 30 vjeçares Liridona Ademaj në nëntor të vitit 2023, një ngjarje që kishte nxitur shumë mëdyeshje dhe reagime në shkallë të gjerë.
Prokuroria akuzoi bashkëshortin e saj Naim Murseli për veprën penale “vrasje në bashkëkryerje”, Granit Plavën për veprën “vrasje” dhe Kushtrim Kokallën për veprën “marrëveshja për të kryer vrasjen”. Identiteti i të akuzurait të katërt nuk u bë i ditur nën arsyetimin se “nuk është etike meqë nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në vrasje”.
Me 29 nëntor të vitit 2023, Liridona Ademaj, 30 vjeçe, u gjet e vrarë në një makinë. Fillimisht u tha se bëhej fjalë për veprën “grabitje” që çoi në vrasje. Bashkëshorti i kishte thënë policisë se vrasja ndodhi gjatë një përpjekjeje për plaçkitjen e tij në makinën e tij ku ishte me gruan dhe dy fëmijët.
Prokurorja e këtij rasti Javorka Perlinçeviç tha sot në një konferencë shtypi se tashmë janë grumbulluar prova të mjaftueshme rreth vrasjes.
“Dua të sqaroj përse ka kaluar një kohë e gjatë deri në ngritjen e aktakuzës. Provat materiale në këtë lëndë janë mbledhur shumë shpejt, por ka munguar motivi që e ka shtyrë autorët e kësaj vepre penale që ta kryejnë atë. Duke e ditur se e ndjera me familje ka jetuar në Suedi për një kohë të gjatë ju kemi drejtuar autoriteteve atje për të kërkuar të dhëna”, tha ajo.
Ndonëse nuk pranoi të jepte hollësi mbi motivin e vrasjes, ajo tha se tashmë janë ndriçuar të gjitha rrethanat që e kanë shtyrë Naim Murselin të vrasë bashkëshorten e tij.
“Në momentin që kemi hyrë në këtë sallë aktakuza është dërguar në gjykatë dhe për hollësitë e aktakuzës nuk mund të flasim sepse nuk jemi kompetent. Por mund të themi që derisa kanë jetuar në Suedi, Liridona dhe Naimi kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara martesore dhe familjare, periudhë gjatë së cilës kanë ardhur edhe deri te problemet pasurore”, tha prokurorja Perlinçeviç.
Vrasja e 30 vjeçares kishte nxitur reagime të ashpra e protesta në Kosovë. Liridona Ademaj fillimisht u varros në fshatin e bashkëshortit, por pas arrestimit të tij si një nga të dyshuarit, me kërkesë të familjes trupi i saj u rivarros në dhjetor të atij viti në vendlindjen e saj.
“Është një ditë shumë e rëndë për neve por shpresojmë që drejtësia do të arrijë në vendin e vet”, u tha sot gazetarëve vëllai i të ndjerës, Leonard Ademaj.
Sipas të dhënave nga policia e Kosovës nga viti 2010 deri në gusht të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra.