Lidhje

Mbahet mbledhja e përbashkët e parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u bëri thirrje të premten udhëheqësve të Kosovës të zbatojnë njëanshëm të gjitha detyrimet e saj që dalin nga dialogu me Serbinë, për të ecur përpara në rrugën e integrimeve euroatlantike.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë gjatë mbledhjes së përbashkët të parlamentit të Kosovës me atë të Shqipërisë, ku ndër të tjera u theksua se bashkëpunimi ndërmjet të dy vendeve është zgjedhje strategjike për të lehtësuar përparimin e tyre, posaçërisht në rrugën integruese.

Mbledhje e përbashkët e parlamenteve të Kosovës dhe Shqipërisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:34 0:00

Kryeministri Rama tha se Kosova nuk ka më asnjë arsye për ta lidhur fatin evropian të saj me Serbinë.

“Në këtë fazë kaq vendimtare për rrugën e saj të integrimit evropian dhe euroatlantik Kosova duhet ta ngrijë, ta ftohë siç thoni ju, pa afat dialogun e saj dypalësh me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin e saj verior duhet ta synojë nëpërmjet dialogut dypalësh me Bashkimin Evropian, duke e këputur kërthizën e reciprocitetit nacionalist me Serbinë dhe duke e lidhur kërthizën e reciprocitetit europianist me Bashkimin Evropian. E thënë ndryshe, Kosova mund t’ia jap familjes evropiane dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut provën e padiskutueshme të vullnetit dhe përkatësisë së vet në gjirin e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke i përmbushur unilateralisht të gjitha kushtet e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, tha ai.

Kryeministri Rama shprehu mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Kosovën në rrugën e integrimeve, ndonëse siç tha, “mundësitë e saj kufizohen nga pezmatimi i aleatëve perëndimorë me Kosovën”.

Që nga qershori i vitit 2023 Kosova është nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian për shkak të siç është thënë mungesës së bashkërendimit të qeverisë së saj rreth veprimeve në veriun e vendit, të cilat gjithashtu kanë qenë burim i mospajtimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kosova mbetet e fundit në rajon në proceset integruese ndërsa përparimi i saj në këtë drejtim është i lidhur ngushtë edhe me procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se ritmi i integrimit euroatlantik të vendit po pengohet nga refuzimi agresiv i Serbisë për ta njohur Kosovën por edhe nga qasja e pesë shteteve evropiane që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Agresioni i Rusisë në Ukrainë, rindezja e konflikteve në Lindjen e Mesme, sulmet terroriste ndaj Kosovës, ai në Banjskë dhe ky i fundit në kanalin e ujësjellësit Ibër Lepenc nga veriu në jug, që vijnë nga e njëjta adresë – Serbia, e nëse nuk është Serbia është edhe Serbia edhe Rusia bashkë, e kanë bërë çështje urgjente anëtarësimin e Kosovës në NATO. Forca e Sigurisë së Kosovës është në lartësinë e detyrës që kërkojnë standardet e aleancës dhe ne besojmë që Shqipërinë e kemi në krah përpjekjeve tona për të tejkaluar pengesat politike”, tha ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi bashkëpunim më të thellë ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës në rrugëtimin e tyre evropian.

“Për të arritur këtë të ardhme të përbashkët është jetike që ne ta forcojmë vazhdimisht koordinimin, komunikimin e bashkërendimin ndërmjet dy shteteve tona”, tha ajo.

Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë marrëveshje për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama nënshkruan të premten një marrëveshje bashkëpunimi për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

“Me këtë marrëveshje mundësohet organizimi i sportit të lundrimit në Durrës të Republikës së Shqipërisë dhe njëherësh zyrtarizohet Durrësi si një nga qytetet mikpritëse të këtyre lojërave”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit Kurti.

Në muajin shtator të vitit të kaluar Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare e shpalli Kosovën nikoqire të kësaj ngjarje sportive që pritet të zhvillohet nga 24 korriku deri më 5 gusht të vitit 2030.

Lojërat mesdhetare 2030 përfshijnë disa lloj sportesh, duke përfshirë edhe lundrimin. Ndonëse Kosova nuk ka bregdet asaj iu lejua kandidimi nga Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, ndërsa Shqipëria ishte zotuar që më parë se do ta ndihmojë atë në organizim.

“Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 do jenë ngjarja më e madhe sportive në histori të vendit, që përmes investimeve do të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës sportive kurse përmes mikpritjes në përfaqësimin dhe promovimin ndërkombëtar të Republikës sonë”, thuhet në njoftim.

Lojërat Mesdhetare u themeluan në vitin 1951 dhe zhvillohen çdo katër vjet me përkrahjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Marrëdhëniet ndërmjet qeverive të të dyja vendeve kanë njohur periudha ftohjeje. Në qershor të vitit të kaluar, kryeministri Rama e anuloi një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, pas tensioneve në veri të Kosovës, që çuan në mospajtime ndërmjet qeverisë në Prishtinë dhe aleatëve perëndimorë.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetarja e parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali thanë se mbledhja e sotme e përbashkët është dëshmi se të dy vendet qëndrojnë pranë njëri tjetrin në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht.

“Duke qenë se ne nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë përveç se interesin kombëtar të kombit që për ne është i përbashkët”, tha zoti Konjufca.

“Sot në këtë takim të përbashkët ne po ngrejmë në një nivel tjetër detyrimin tonë ndaj qytetarëve tanë për të vijuar me durim e vizion atë që etërit tanë e kanë bërë me gjak e sakrificë të skajshme”, tha zonja Spiropali.

Të dyja parlamentet miratuan një deklaratë të përbashkët në të cilën ndër të tjera zotohen për forcim të lidhjeve dhe nxitje të bashkëpunimit ndërmjet të dy qeverive

XS
SM
MD
LG