Lidhje

Qëndrimet e kryetarit të ardhshëm të Komisionit Federal të Telekomunikacionit


Brendan Carr gjatë një takimi në Senat
Brendan Carr gjatë një takimi në Senat

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka emëruar zotin Brendan Carr si drejtues të Komisionit Federal të Telekomunikacionit, që administron komunikimet elektronike në Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Dora Mekouar, ai ka qenë anëtar i komisionit që nga viti 2017 dhe është përqënduar tek mbikëqyrja e kompanive të mëdha të teknologjisë dhe ndikimi i Kinës në telekomunikacionet në Shtetet e Bashkuara.

Qëndrimet e kryetarit të ardhshëm të Komisionit Federal të Telekomunikacionit
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:55 0:00

Brendan Carr u përzgjodh nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump për të drejtuar Komisionin Federal të Telekomunikacionit (FCC).

Agjencia mbikëqyr transmetimet televizive dhe radiofonike, shërbimet e telefonisë dhe të internetit, si dhe satelitët.

Brendan Carr është aktualisht anëtar i Komisionit dhe ka punuar prej vitesh edhe si anëtar i personelit.

“Është e qartë se ai ka shumë eksperiencë. Mendoj se ka qenë aty që në vitin 2012 si jurist dhe ka qenë gjithashtu shumë transparent, që është gjë e mirë. Ai ka një njohje shumë të fortë të mënyrës se si funksionon komisioni”, thotë profesori i komunikimeve Stephen McDowell, nga Universiteti Shtetëror i Floridas.

Presidenti i zgjedhur Trump e ka përshkruar juristin 45-vjeçar si “një luftëtar për fjalën e lirë”. Zoti Carr kontribuoi për hartimin e Projektit 2025, për seksionin në lidhje me Komisionin Federal të Telekomunikacionit (FCC), duke shprehur mendimin se kompanitë e mediave sociale censurojnë disa pikëpamje të caktuara politike. Ai gjithashtu dëshiron monitorimin e rrjeteve televizive për njëanshmëri politike.

“Amerikanët kanë përjetuar një rritje të paprecedentë të censurës gjatë dy viteve të fundit, dhe ne duhet të punojmë së bashku për të goditur kartelin e censurës. Numri dy është media // besimi tek mediat është në nivelin më të ulët historikisht. Ka shumë që komisioni mund të bëjë për t’u siguruar që transmetuesit po i shërbejnë realisht interesit publik”, thotë zoti Carr.

Këto propozime po kritikohen si shkelje të mundshme të Amendamentit të Parë të Kushtetutës që parashikon lirinë e shprehjes.

“Një nga gjërat që ai propozon është t’i detyrojë këto kompani private të lejojnë materiale me përmbajtje që konsiderohet ofenduese nga bizneset që paguajnë për reklamat”, thotë aktivistja Jessica J. Gonzalez, nga organizata “Free Press”.

Zoti Carr gjithashtu kërkon të sigurohet qasja në internet për më shumë amerikanë. Ai gjithashtu ka shprehur shqetësime se teknologjia dhe pajisjet e prodhuara në Kinë, si dhe platforma e medias sociale TikTok që është në pronësi të një kompanie kineze, mund të jenë duke mbledhur informacion për amerikanët në emër të Partisë Komuniste Kineze.

“Partia Komuniste Kineze nuk i përqaset Shteteve të Bashkuara dhe lirive tona nëpërmjet një vektori të caktuar. Ata veprojnë me lloje të ndryshme mjetesh. Ata veprojnë nëpërmjet shumë lloje shërbimesh. Prandaj është e rëndësishme që ne të jemi vigjilentë”, thotë zoti Carr.

Këto shqetësime të sigurisë kombëtare kanë më pak gjasa të ngjallin debat për komisionin e përbërë nga pesë anëtarë.

“Ka tashmë fonde të miratuara për të hequr nga përdorimi disa pajisje të rrjetit dhe për t’i zëvendësuar me pajisje më të sigurta”, thotë profesori McDowell.

Pak pasi Presidenti i zgjedhur Trump e emëroi për kryetar të Komisionit Federal të Telekomunikacionit, zoti Carr njoftoi se në këtë agjenci do të anulohen politikat për nxitjen e të drejtave të njeriut nëpërmjet përfshirjes së individëve nga pakicat.

XS
SM
MD
LG