Lidhje

Studimi i IKD: Sa më shumë gra në pushtet aq më pak korrupsion në Kosovë


Instituti i Kosovës për Drejtësi publikoi të martën një studim në të cilin thekson se mungesa e rezultateve në luftën kundër korrupsionit në Kosovë ndërlidhet ngushtë edhe me mungesën e përfshirjes së grave në pozita në udhëheqëse.

Gjatë paraqitjes së raportit “Dimensioni gjinor i korrupsionit”, Arrita Rezniqi nga ky institut, tha se përfshirja më e madhe e grave në udhëheqje është një faktor për nxitjen e qeverisjes të bazuar në llogaridhënie.

“Kjo ka bërë që integrimi i perspektivës gjinore të diskutohet çdo herë e më tepër si një mjet për ta luftuar korrupsionin në tërësi. Pra në përgjithësi është kjo qasje që shoqëritë sa më shumë që kanë barazi gjinore, kanë institucione më të forta, kanë qeverisje më të mirë dhe në të njëjtën kohë kanë më pak tolerancë ndaj praktikave korruptive”, tha zonja Rezniqi.

Studimi, që u publikua në kuadër të shënimit të javës kundër korrupsionit, nxjerr në pah se në politikë gratë mbesin të nënpërfaqsuara, posaçërisht në udhëheqje dhe se situatë e ngjashme është edhe në sistemin e drejtësisë.

“Këshilli gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial, Gjykata Supreme, zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Oda e Avokatëve të Kosovës si institucionet kryesore të sistemit të rregullt drejtësisë, të gjitha udhëhiqen prej burrave. Është vetëm një institucion që qëndron jashtë sistemit të rregullt gjyqësor e që është Gjykata Kushtetuese e cila aktualisht udhëhiqet nga një grua”, tha ajo.

Zonja Rrezniqi tha se përfshirja më e madhe e grave mund të jetë çelësi në luftën kundër kësaj dukurie.

“Për shkak edhe të dominimit të sferave udhëheqëse nga burrat automatikisht edhe rrjetet korruptive dominohen kryesisht prej burrave. Prandaj edhe rritja e numrit të grave në pozita vendimmarrëse mund të ndikojë në shpërbërjen e këtyre rrjeteve korruptive ekzistuese dhe si rezultat edhe në uljen e drejtpërdrejtë të korrupsionit”, tha ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se një nga sfidat më të mëdha në rrugën e vendit drejt zhvillimit mbetet pabarazia gjinore.

“Ashtu siç shohim shembuj të suksesit në vende të tjera, është koha që edhe Kosova të reflektojw për politika më të qëndrueshme, mekanizma të mbështetjes që janë efektiv dhe praktika të cilat promovojnë barazinë gjinore si një qëllim i detyrueshëm e jo si çështje opcionale. Barazia dhe drejtësia kërkojnë veprime të guximshme dhe fuqizimi i grave në udhëheqje e lufta kundër korrupsionit shkojnë dorë për dore”, tha presidentja Osmani.

Tamra Greig, drejtoreshë në Zyrën për çështje ndërkombëtare të narkotikëve dhe zbatimit të ligjit (INL), në Departamentin amerikan të Shtetit, tha se fuqizimi i grave për të qenë në pozita udhëheqëse është një rrugë strategjike për të garantuar më shumë integritet.

“Gratë udhëheqëse sjellin një këndvështrim të veçantë dhe një qasje bashkëpunuese në vendimmarrje. Siç Kosova e di, duke sfiduar strukturat tradicionalisht të udhëhequra nga burrat, gratë do të krijojnë një mjedis që është më gjithëpërfshirës dhe më pak të prirë për praktika korruptive”, tha ajo.

Në raportin vjetor të Komisionit Evropian për Kosovën, që deri vonë njihej si raporti i progresit, thuhet se Kosova ka shënuar përparim të kufizuar në përgjithësi në luftimin e korrupsionit.

XS
SM
MD
LG