Lidhje

Kosovë, Sindikatat e Arsimit protestojnë me kërkesat për rritje pagash


Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë u hodh të mërkurën në protestë me kërkesa për rritjen e pagës së punonjësve të arsimit si dhe zbatimin e kontratës kolektive, me të cilën përcaktohen disa përfitime të tjera financiare si pagesat për shujtat ushqimore, shpenzimet e udhëtimit e deri te paga shtesë pas pensionimit.

Protestuesit që parakaluan qendrës së Prishtinës, paralajmëruan grevë të përgjithshme të sektorit në rast të mospërmbushjes së kërkesave të tyre.

“Tani e sa muaj ne kemi drejtuar kërkesat tona për dialog lidhur me kontratën kolektive dhe me dy tetor e kemi dorëzuar draftin e ri të saj. Por, ministrja e arsimit nuk do dialog dhe as negocim. Por mos të harrojnë se duke qenë kundër kontratës së re kolektive të arsimit janë kundër punëtorëve të arsimit sepse kjo kontratë është bazamenti që garanton të drejtat legjitime të punonjësve arsimorë”, tha Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit.

Në Kosovë në dhjetë vjetët e fundit janë nënshkruar tri kontrata kolektive ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe kësaj sindikate, por zbatimi i tyre ka ngecur.

Në nëntor të vitit 2022 ministria e Arsimit shkëputi në mënyrë të njëanshme kontratën e fundit kolektive të nënshkruar në vitin 2021, nën arsyetimin se “ka pasur probleme serioze ligjore dhe si e tillë është e pavlefshme”. Atë kohë ministria ishte zotuar se do të nënshkruante kontratë të re kolektive pas negociatave me Sindikatën e Arsimit.

“Ne po vazhdojmë të kërkojmë dialog” tha sot zoti Jasharaj.

Ministria e Arsimit tha në një komunikatë shtypi të martën se “dokumentet dhe iniciativat për ndryshime legjislative duhet të trajtohen brenda kornizës ligjore, pasi çdo qasje e njëanshme mund të shkaktojë përçarje në kolektivat e mësimdhënësve nëpër shkolla, të pengojë mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe të mos kontribuojë në objektivin e përbashkët për rritjen e cilësisë në arsim”.

Në njoftim thuhet se kontratat kolektive të nënshkruara nga qeveritë e kaluara në kohë zgjedhjesh “kanë prodhuar pasoja juridike me te cilat institucionet vazhdojnë të përballen” ndërsa theksohet se “një gabim i tillë nuk do të përsëritet”.

Protesta e punonjësve të arsimit në Prishtinë
Protesta e punonjësve të arsimit në Prishtinë

“Sa i përket kontratës kolektive, diskutimi nuk duhet të jetë i njëanshëm dhe as i margjinalizuar. Ky diskutim mund të zhvillohet nga BSPK dhe Këshilli Ekonomik Social në nivel qeveritar, sapo të krijohen kushtet e përcaktuara me ligj”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, aty theksohet se kërkesat për rritje të pagave janë trajtuar në kuadër të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Në tetor të këtij viti qeveria e Kosovës mori vendim që nga janari i vitit të ardhshëm të rriten pagat në sektorin publik në vend.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë njoftimit për këtë rritje tha se “nga kjo do të përfitojnë mësimdhënësit, policët, ushtarët, infermierët dhe zjarrfikësit, të cilëve do t’u rriten pagat për 18 deri 20 për qind”.

XS
SM
MD
LG