Lidhje

Biden në Angolë për të frenuar shtrirjen e ndikimit kinez në Afrikë


Presidenti Joe Biden vizitoi të martën një muze të skllavërisë në Angolë, ku mes tjerash të shfaqura janë edhe pranga dhe kamxhiku i përdorur gjatë ‘periudhës së errët të historisë amerikane’.

Ai gjithashtu foli për të ardhmen e Afrikës, duke thënë se afrikanët do të përbëjnë një në katër njerëz deri në vitin 2050 dhe fati i botës do të jetë në duart e tyre.

Vizita e Presidentit Biden, e para në Angolë nga një president amerikan, synon të nxjerrë në pah edhe investimet prej miliarda dollarësh në sistemin hekurudhor të këtij vendi afrikan. Presidenti Biden tha se ky është investimi më i madh i Shteteve të Bashkuara në një vend të huaj.

“Shtetet e Bashkuara janë tërësisht të përkushtuara ndaj Afrikës”, tha Presidenti Biden të martën gjatë takimit me Presidentin João Lourenço. Ky i fundit e quajti vizitën e Presidentit Biden një pikë kthese në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Angolës, duke arritur pikën më të lartë që nga Lufta e Ftohtë.

Vizita ka për qëllim të frenojë shtrirjen e ndikimit të Kinës në kontinentin afrikan me mbi 1.4 miliardë banorë, duke ofruar zotimin për 3 miliardë dollarë investim për zhvillimin e hekurudhës që lidh Zambinë, Kongon dhe Angolën. Kina, gjithashtu njoftoi për një vendim që mundohet t’i kundërvihet kësaj përpjekjeje.

Korridori hekurudhor në të gjithë Afrikën jugore ka për qëllim ta bëjë më të lehtë transportimin e lëndëve të para për eksport dhe avancimin e pranisë amerikane në një rajon të pasur me minerale kritike për prodhimin e baterive të makinave elektrike, pajisjet elektronike dhe teknologjitë e energjisë së pastër.

Kina tashmë ka bërë investime të mëdha në miniera dhe përpunimin e mineraleve në Afrikë. Të martën Pekini njoftoi vendimin për të ndërprerë eksportet në Shtetet e Bashkuara të galiumit, germaniumit, antimonit dhe materialeve të tjera të teknologjisë së lartë. Vendimi erdhi një ditë pasi Uashingtoni zgjeroi listën e kompanive kineze të teknologjisë që janë të detyruara t’u nënshtrohen kontrolleve amerikane.

Shtetet e Bashkuara prej vitesh kanë ndërtuar marrëdhënie me vendet e Afrikës përmes tregtisë, sigurisë dhe ndihmave humanitare. Investimi në hekurudhën prej 1300 kilometrash një mënyrë e re thellimit të këtyre lidhjeve dhe ka ngjashmëri me nismën kineze “Një Brez, Një Rrugë” të investimeve infrastrukturore në Afrikë dhe pjesë të tjera të botës.

Presidenti Biden do të vizitojë qytetin bregdetar Lobito të mërkurën për të inspektuar një tjetër projekt i cili ka siguruar financime edhe nga Bashkimi Evropian, një konsorcium privat i udhëhequr nga perëndimi dhe bankat afrikane.

Nuk është e qartë se sa nga pjesa e investimeve amerikane janë kryer e dhe sa do të varen nga administrata e Presidentit të ardhshëm Donald Trump.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se “duhen disa vite” për të përfunduar projektin. Kjo do të thotë se një pjesë e madhe e saj duhet të përfundohet gjatë mandatit të Presidentit Trump, i cili merr detyrën më 20 janar.

I pyetur nëse projekti mund të vazhdojë pa mbështetjen e Presidentit Trump, zoti Kirby tha se shpreson që edhe administrata e ardhshme “të kuptojë vlerën e projektit”.

Zoti Kirby këmbënguli gjithashtu se projekti shkon përtej përpjekjeve për të kundërshtuar ndikimin kinez, duke shtuar se “ne nuk po u kërkojmë vendeve të zgjedhin midis nesh dhe Rusisë dhe Kinës”.

Rrugët me shi të kryeqytetit, Luanda, kishin një prani të madhe ushtarake, por pak civilë, ndryshe nga mbërritja e zotit Biden të hënën, kur shikuesit brohoritën pranë kolonës së makinave të Presidentit amerikan. Autoritetet të martën u bën thirrje banorëve në qendër të qytetit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Presidenti Biden dhe homologu Lourenco iu drejtuan shkurt gazetarëve para një takimi me dyer të mbyllura. Presidenti Biden injoroi pyetjet në lidhje me vendimin e tij për të përdorur autoritetin presidencial për të falur të birin, Hunter Biden, pasi më parë u zotua të mos e bënte këtë.

Ai gjithashtu u zotua para zotit Lourenco të përdorte udhëtimin për të dëgjuar qëndrimet e palës afrikane: “Ne nuk besojmë që jemi më të mëdhenj dhe më të fuqishëm, se jemi më të zgjuar. Ne nuk mendojmë se i kemi të gjitha përgjigjet”.

Presidenti i Angolës vlerësoi zotimin e Presidentit Biden për projektin në Lobito, duke thënë se do të “mbahej mend përgjithmonë”.

Pas takimit, një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se Kina nuk u diskutua gjatë takimit. Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha gjithashtu se gjatë vizitës së Presidentit Biden në Lobito do t'i bashkohen edhe presidentët e Zambisë dhe Kongos.

Presidenti Biden kishte premtuar se do të vizitonte Afrikën vitin e kaluar, pas ringjalljes së takimit të nivelit të lartë SHBA-Afrikë, në vitin 2022. Por udhëtimi u shty deri në këtë vit, duke përforcuar ndjenjën mes afrikanëve se kontinenti i tyre mbetet ende një përparësi e ulët për Uashingtonin. Presidenti i fundit amerikan që vizitoi këtë zonë të Afrikës ishte Barack Obama më 2015.

Presidenti Biden vizitoi Muzeun Kombëtar të Skllavërisë të Angolës në një vend që më parë ishte selia e “Capela da Casa Grande”, një tempull i shekullit të 17-të ku skllevërit pagëzoheshin përpara se të ngarkoheshin në anije për t’u dërguar në Amerikë. Angola ishte pika e nisjes për rreth 6 milionë njerëz të skllavëruar, tha Shtëpia e Bardhë.

“Unë e di se e ardhmja kalon përmes Angolës, përmes Afrikës”, tha Presidenti Biden.

Duke folur në një skenë buzë detit, ai tha se historia “nuk mund dhe nuk duhet të fshihet” dhe se ndërsa Amerika u themelua mbi idealin e lirisë dhe barazisë, “është shumë e qartë sot se ne nuk kemi përmbushur atë ideal”.

XS
SM
MD
LG