Lidhje

Kosovë, arrestohen tetë persona si të dyshuar për sulmet në veri – sekuestrohen armë


Autoritetet e sigurisë në Kosovë njoftuan të shtunën se kanë arrestuar tetë persona të dyshuar për përfshirje në sulmin e një nate më parë në kanalin e liqenit të Ujmanit.

Ministri i punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, tha se operacioni i policisë është zhvilluar në rreth dhjetë lokacione në veri të vendit ndërsa të arrestuarit dyshohen për përfshirje në veprime kriminale e terroriste.

“Ky është sulm i organizuar dhe planifikuar mirë nga grupe apo organizata që janë profesioniste në kryerjen e sulmeve të tilla terroriste e të cilat shkaktojnë dëme të mëdha ndaj infrastrukturës kritike, pra synimi i tyre ka qenë të maksimalizohet dëmtimi në dëm të shtetit të Kosovës”, tha ministri Sveçla.

Drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se janë identifikuar disa persona si të dyshuar të mundshëm për nxitjen e akteve të dhunës, organizimit apo ekzekutimit të sulmit të fundit.

“Për realizimin e këtij sulmi terrorist në bazë të hetimit në vendin e ngjarjes dyshohet që në këtë sulm është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit nga 15 deri 20 kilogramë, e cila ka qenë e vendosur në një çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, tha zoti Hoxha.

Drejtori i policisë së Kosovës tha se gjatë operacionit janë sekuestruar prova të ndryshme materiale.

“Janë sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore apo zolla prej të cilave tri janë të përdorura, 3 granata dore, dy armë automatike AK47, një revole, municion të kalibrave të ndryshëm, pjesë të armëve, fitila ndesës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika dhe pajisje tjera elektronike”, tha zoti Hoxha.

Autoritetet në Kosovë miratuan masa shtesë pas sulmit për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve thelbësore.

XS
SM
MD
LG