Organi drejtues i futbollit evropian, UEFA, tha të mërkurën se Rumania është fituese ndaj Kosovës me rezultat 3 me 0, pasi ndeshja e futbollit në Ligën e Kombeve në Bukuresht, u braktis nga skuadra e Kosovës për shkak të thirrjeve pro Serbisë nga tifozët vendas.
Autoritetet rumune mohuan të ketë pasur thirrje të tilla dhe akuzuan skuadrën e Kosovës për braktisje “të paramenduar” të ndeshjes.
Federata e Futbollit të Kosovës tha ndërkaq se e kishte paralajmëruar vazhdimisht UEFA-n për provokimet e mundshme nga tifozët e Rumanisë.
UEFA hapi procedurë menjëherë pas ndeshjes dhe të mërkurën tha se Federata e Futbollit të Kosovës do të paguajë një gjobë prej 6 mijë eurosh për sjelljen e pahijshme të skuadrës së saj.
Federata Rumune e Futbollit (FRF) u gjobit me 128,000 euro për disa akuza përfshirë sjelljet diskriminuese dhe sjellje të pahijshme nga ekipi.
FRF-ja gjithashtu është urdhëruar të luaj ndeshjen e radhës në shtëpi pa tifozë, për shkak të sjelljes raciste dhe diskriminuese të mbështetësve të skuadrës.
Federata e Futbollit e Kosovës tha se dënimi i Rumanisë “është një konfirmim i arsyeshmërisë së veprimeve tona kundër thirrjeve raciste dhe mesazheve provokative politike kundër Kosovës”, por u shpreh e pakënaqur me vendimin që t’i njihet fitorja skuadrës rumune.
“Për këtë vendim, FFK do të bëjë ankesa dhe do të apelojë rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, duke vazhduar të mbrojë të drejtën dhe integritetin e Kombëtares sonë”, thuhet në një deklaratë të kësaj federate.
Federata Rumune e Futbollit u gjobit nga UEFA vitin e kaluar për shkak të thirrjeve pro Serbisë dhe shpalosjes së një mbishkrimi “Kosova është Serbi” nga tifozët gjatë një ndeshjeje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 kundër Kosovës.
Kosova gjithashtu u gjobit muajin e kaluar për ndërprerjen e një ndeshjeje mes dy palëve në shtator, kur tifozët e saj ndezën dhe hodhën fishekzjarrë, hynë në fushë dhe fishkëllyen gjatë himnit kombëtar rumun.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe është njohur nga më shumë se 100 vende të botës, por jo nga Rumania.