Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) tha se kishte paralajmëruar vazhdimisht organin qeverisës të futbollit evropian UEFA për provokimet e mundshme nga tifozët e Rumanisë, përpara ndeshjes së të premtes në Ligën e Kombeve, e cila u braktis nga futbollistët e Kosovës.
Ndëshja ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës u braktis pasi lojtarët vizitorë u larguan nga fusha ku po luhej me rezultat zero me zero, kur dëgjuan brohoritjet pro Serbisë nga tifozët vendas.
Ndeshja fillimisht u ndërpre përpara se të braktisej nga skuadra e Kosovës e cila refuzoi të kthehej në fushë. UEFA tha se do të jap “informacione të mëtejshme në kohën e duhur".
Thirrjet si “Kosova është Serbi” dhe “Serbia, Serbia”, fishkëllimat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Kosovës, hedhja e gjësendeve të forta në stadium dhe veprime të tjera ofenduese e provokuese, ishin të pranishme gjatë gjithë ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të papranueshme dhe jo të sigurt për lojtarët tanë”, thuhet në një deklaratë të Federatës së Futbollit të Kosovës.
“FFK-ja kishte paralajmëruar më shumë se dy herë me shkrim organet përkatëse të UEFA-s për mundësinë e veprimeve të tilla, një herë disa ditë para ndeshjes dhe më pas disa minuta përpara fillimit të saj. Përkundër këtyre paralajmërimeve, tifozët rumunë vazhduan me sjellje të papërgjegjshme dhe diskriminuese, duke detyruar Kombëtaren e Kosovës të lërë fushën për shkak të mungesës së sigurisë dhe dinjitetit”, thuhet në deklaratë.
FFK-ja gjithashtu pretendoi se një zyrtar i Rumanisë "kërcënoi dhe sulmoi" një lojtar të Kosovës në korridoret e stadiumit.
“Për të gjitha këto shkelje të rënda, FFK ka raportuar menjëherë incidentet tek delegati i ndeshjes dhe ka nisur përgatitjen e një ankese të plotë me fakte dhe prova që do t’i dorëzohen organeve disiplinore të UEFA-s”.
Federata Rumune e Futbollit (FRF) tha se ishte zhgënjyer nga sjellja e delegacionit dhe lojtarëve të Kosovës, duke i cilësuar akuzat e tyre si të pabaza, ndërsa pretendon se veprimet e tyre ishin të paramenduara.
“Është e rëndësishme të theksohet se gjatë ndeshjes nuk ka pasur thirrje raciste dhe as edhe një herë nuk është brohoritur parulla ‘Kosova është Serbi’”, tha kjo federatë
“Për më tepër, dëshirojmë t'u kujtojmë të gjithëve vendimin Komitetit Disiplinor të UEFA-s lidhur me një incident të ngjashëm gjatë një ndeshjeje të vitit të kaluar, kur Kosova ka vepruar në të njëjtën mënyrë. Vendimi thoshte qartë se parulla “Kosova është Serbi” nuk mund të klasifikohet si raciste dhe për rrjedhojë, nuk mund të nxisë procedurën prej tre hapash”, thuhet në deklaratën e federatës rumune.
Procedura me tre hapa, nënkupton që arbitri të kërkojnë një njoftim publik për të bërë thirrje për ndërprerjen e sjelljeve raciste, pezullimin e ndeshjes derisa të ndërpriten sjelljet e tilla dhe braktisjen e plotë të ndeshjes.
“Kjo cështje u ritheksua edhe nga delegati i UEFA-s gjatë takimit teknik para ndeshjes së mbfremshme”, thuhet në deklaratë në të cilën theksohet “keqardhja ... që një ekip futbolli do të zgjidhte të largohej nga fusha dhe të tërhiqej në dhomën e zhveshjes vetëm dy minuta para fishkëllimës së fundit, duke qenë se rezultati nuk ishte i favorshëm për të”.
Federata Rumune e Futbollit u gjobit nga UEFA vitin e kaluar për shkak të thirrjeve pro Serbisë deh shpalosjes së një një mbishkrimi “Kosova është Sërbi” nga tifozët gjatë një ndeshjeje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 kundër Kosovës.
Kosova gjithashtu u gjobit muajin e kaluar për ndërprerjen e një ndeshjeje mes dy palëve në shtator, kur tifozët e saj ndezën dhe hodhën fishekzjarrë, hynë në fushë dhe fishkëllyen gjatë himnit kombëtar rumun.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008 dhe është njohur nga më shumë se 100 vende të botës, por jo nga Rumania.