Jimmy Carter është Presidenti i parë amerikan që arrin moshën 100 vjeçare. Zëri i Amerikës sjell hollësitë mbi organizimet në Xhorxhia kushtuar këtij përvjetori historik të presidentit të 39-të amerikan.
Teatri Fox në Atlanta priti dhjetëra artistë dhe mijëra të ftuar, në koncertin me rastin e 100 vjetorit të lindjes së ish-Guvernatorit të Xhorxhias dhe ish-Presidentit amerikan, Jimmy Carter.
“Është një mënyrë për t’u bashkuar”, thotë kryetari i bordit të qendrës ‘Carter’, Jason Carter.
Ai beson se koncerti ku morën pjesë artistë që kishin bërë fushatë për gjyshin e tij më 1970, është një mënyrë bashkimi edhe mes partive të ndryshme, për të festuar njeriun që njihet si “Presidenti Rock 'n' Roll”.
“Kjo i bashon njerëzit dhe tejkalon ndasitë mes vendeve, kulturave dhe racave. Sonte këtu bashkohen demokratët dhe republikanët”, thotë ai.
Në këtë festë mungoi vetë Jimmy Carter. Ish-Presidenti ndodhet nën kujdes profesional për mbajtjen nën kontroll të dhimbjeve në shtëpinë e tij në një qytet të vogël 240 kilometra në jug të Atlantës.
“Është një qytezë me 600 banorë në një zonë periferike. Ai ka ndihmuar në Afrikë vende të ngjashme me pak banorë. Aty ai ndjen një lidhje të fortë, prandaj po e shënon këtë moment duke qëndruar në shtëpi”, thotë nipi i Presidentit Carter.
Jimmy Carter është presidenti i parë amerikan që lindi në një spital. Lillian Carter e solli atë në jetë më 1 tetor 1924 në qytetin Plains të Xhorxhias.
“Arsyeja e vetme pse ai lindi në spital ishte sepse nëna e tij po punonte atë ditë”, thotë Jill Stuckey, mike e familjes Carter që punon si mikëqyrëse e Parkut Historik Kombëtar ‘Jimmy Carter’.
Aty vizitorët mund të shohin fermën e tij të fëmijërisë nga epoka e depresionit, shkollën e vjetër në Plains ku ai ndoqi mësimet, depon e hekurudhës që ai e shndërroi në seli fushate gjatë kandidaturës së suksesshme më 1976 në garën për Shtëpinë e Bardhë.
Zonja Stuckey thotë se qyteti Plains e nderon ish-presidentin çdo ditë, por kjo ditëlindje historike shënohet duke ndihmuar të tjerët.
“100 qytetarë të rinj po marrin shtetësinë për nder të tij”, thotë zonja Stuckey.
Ditëlindja e 100-të e Ish-Presidentit Carter është e para që ai e kalon pa gruan e tij Rosalynn, e cila vdiq nëntorin e kaluar.
“Të jesh pa shokun e shpirtit pas 77 vite e gjysmë martesë është shumë e vështirë”, thotë zonja Stuckey.
Festia e ditëlindjes, që filloi në Teatrin Fox në shtator dhe përfundon në Plains më 1 tetor, bashkoi familjen e madhe të presdentit të 39-të amerikan, përfshirë stërnipin e tij, Charlie Carter.
“Ndoshta 101 vjetori mund të jetë festë edhe më e madhe”, përgjigjet ai në një pyetje të Zërit të Amerikës.
Jimmy Carter mban rekordin për karrierën më të gjatë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë. Pasi përfundoi mandatin më 1981, ai dhe gruaja e tij themeluan Qendrën globale jofitimprurëse ‘Carter’ me bazë në Atlanta, e cila lufton sëmundjet e neglizhuara tropikale, angazhohet për zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe mbikëqyr zgjedhjet në mbarë botën... për çka u nderua me Çmimin Nobel për Paqe më 2002.